Ushtria izraelite vazhdon të godasë nga ajri qytetin e Gazës ndërsa forcat tokësore të saj po përballen me militantët e Hamasit pranë spitalit më të madh të rajonit, Al Shifa.
Banorët në Gazë njoftuan këtë të diel për sulme ajrore edhe në afërsi të spitalit Al Shifa, ndërsa ushtria izraelite i ka pranuar luftimet duke thënë se grupi militant palestinez Hamas ka ndërtuar një komandë të saj brenda dhe nën hapësirën e spitalit. Këto akuza që janë hedhur poshtë nga Hamasi dhe personeli mjekësor. Situata bëhet më e rëndë nga deklarata e Organizatës Botërore e Shëndetësisë e cila thotë se ka humbur kontaktet me stafin humanitar të sajin në këtë spital.
Po sipas OBSH-së, për shkak të luftimeve të rënda afër spitalit siguria e stafit dhe pacientëve atje është në rrezik, pasi ndodhen të bllokuar. Zyrtarët palestinezë njoftuan vdekjen e dy foshnjave të porsalindura në këtë spital, ndërsa ushtria e Izraelit tha se është e gatshme për t’i evakuuar dhjetra foshnje që janë në rrezik për jetën brenda këtij spitali. Raportohet po ashtu të ketë mbetur pa karburant edhe spitali i dytë më i madh në Gaza Al-Quds.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e udhëhequr nga grupi radikal Hamasi, thotë se në spitalin Al Shifa janë ende 1.500 pacientë, bashkë me një staf mjekësor prej 1.500 vetash, si dhe me rreth 15.000 deri në 20.000 njerëz të strehuar. Po sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i të vrarëve nga bombardimet izraelite ka shkuar në mbi 11.000, prej të cilët rreth 40 për qind fëmijë. Nga ana e tij Izraeli tha se ende po hidhen raketa nga Gaza në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen më shumë se 240 të tjerë muajin e kaluar. Sulme ajore raportohet të ketë pasur gjithashtu në afërsi të kampit të refugjatëve Xhabalia në Gaza, ku raportohet për të tjera viktima.