Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ftojë presidentin, Hashim Thaçi, për të dëshmuar dhe për të dhënë më shumë detaje për takimin në Kopaonik që sipas tij ka ndodhur mes ish-zëvëndëskryeministrit,Haki Abazi, dhe njerëzve të shërbimit sekret të Serbisë (BIA).
“Dua të ngris një çështje për lidhjen e ish qeverisë Kurti me njerëz të BIA-s. Kjo ka të bëjë me zëvëndëskryeministrin Haki Abazi”, ka thënë Lushtaku në seancë.
“Bëj thirrje që prokuroria të ftojë presidentin Hashim Thaçi për të dhënë më shumë detaje për takimin e Haki Abazit me njerëzit e BIA-s në Kopaonik”, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu ka thënë se Haki Abazi duhet të tregojë se sa e ka blerë dhe me çfarë para e ka paguar pozitën e zv.kryeministrit nga Kurti.
“Sa i ka kushtuar Haki Abazit blerja e postit nga Albin Kurti. Me cilat para e kishte blerë atë në zyrën e kryeministrit”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Deputeti Lushtaku gjithashtu ka thënë se Haki Abazi bashkë me shefin e stafit të Kurtit sa ka qenë kryeministër janë takuar me përfaqësuesin e zyrës së Marko Gjuriqit, Dejan Paviçeviq.