Ish-zyrtari i LDK-së, Adem Salihaj, tregon në emisionin Pressing se në vitin 2000 kishte pasur atentat ndaj tij, ku një person ia kishte drejtuar revolen.
Ai thotë se ngjarja kishte ndodhur në Ferizaj dhe se ishte paralajmëruar më herët në një televizion, ku një person kishte thirrur dhe kishte jep sinjale se një atentat do të ndodhte.
“Më ka drejtuar revolën, por për fat të mirë edhe unë kam pasur një revole dhe ia kam drejtuar atij. Për fat të mirë ai nuk ka mundur të shtijë drejt meje, por as unë drejt tij. Pasi u larguan pak kam shtirë tri herë, por jo drejt dikujt. Ata u futën në makinë dhe ikën”, tha ai.
“Pas asaj ka qenë një fushatë e PDK-së kundër meje. Në televizion një ditë më herët është paralajmëruar vraja ime në media. Kishte thirrë dikush drejtpërdrejt dhe kishte thënë ‘ku do ta bëjë vendin nesër Adem Salihaj’. Pra ishte paralajmëruar më herët”, shtoi Salihaj.
Salihaj po ashtu tha se Gjykata Speciale nuk do të merret me vrasjet e anëtarëve të LDK-së.
“Kisha qëndrimet e mia. Kisha thënë se UÇK nuk duhet të futet në një fshat të cilin nuk mund ta mbrojë. Këto kanë qenë qëndrimet e mija. Janë gjëra konkrete. Këto janë aktualizuar për shkak të Hagës. Por mendoj se Haga nuk ka asnjë lidhje me vrasjet në LDK. Pavarësisht se tash ka akuza, por që Gjykata Speciale nuk është krijuar për t’i zbardhur vrasjet e veprimtarëve të LDK-së”, përfundoi ai.