Qytetarët francezë do të dalin sot në qendrat e votimit për të vendosur nëse do t’i japin një mandat të dytë 5-vjeçar presidentit Emmanuel Macron apo do të zgjedhin ta zëvendësojnë atë me kandidaten e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen.
Pas një fushate me shumë përplasje, Le Pen ka një betejë shumë të vështirë sipas sondazheve për të mundur kundërshtarin e saj 44 vjeçar.
Të dy kandidatëve iu duhet të tërheqin votat e qytetarëve që mbështetën alternativat e tjera në raundin e parë të presidenciale.
Kritikët e Macron e quajnë atë arrogant dhe president i të pasurve ndërsa liderja e ekstremit të djathtë është vënë nën akuzë se ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
Macron u zgjodh në krye të vendit me premtime të mëdha për ndryshime rrënjësore në Francë, por shumë prej tyre nuk janë parë ende. Presidenca e tij u shënua nga protesta të mëdha, pandemia e koronavirusit dhe në muajt e fundit nga rritja e kostove të jetesës.
Marinë Le Pen ndërkohë duket sikur ka mësuar nga gabimet në fushatën e fundit, ku u mund nga i njëjti kundërshtar në raundin e dytë. Kjo është tentativa e saj e tretë për t’u zgjedhur presidente dhe nëse dështon mund të jetë dhe e fundit.
Fushata ka qenë e shkurtër por zgjedhja për votuesit është e qartë, mes një presidenti pro-europian dhe një kandidateje nacionaliste e cila kërkon të heqë burkën dhe të ndalojë emigracionin.
Kutitë e votimit hapen në 08:00 dhe mbyllen 12 orë më vonë.