Presidenti francez Emannuel Macron i është përgjigjur nga Tirana kritikave të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani se BE-ja sipas saj po lëshon mesazhe të këqija për rajonin tonë, duke thënë se po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini dhe bllokohet Kosova, shkruan A2 CNN. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Macron tha se shpreson që javën e ardhshme të nisë dialogu mes dy vendeve, ndërsa përmendi edhe problematikat politike dhe sociale të tyre.
“Udhërrëfyesi është i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun mes Beogradit e Prishtinë BE kërkon avancime konkrete mbi zgjedhjet komunave që nuk kanë qenë të kënaqshme mbi çështjet e sigurisë. Duhet të dalë nga kjo përballjeje që bllokon situatën. Uroj që javën e ardhshme të fillojë dialogu me Prishtinë dhe Beogradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale. Është e rëndësishme për gjithë rajonin. Mendoj që kërkesat janë legjitime nuk duhet të lëmë të vendoset një dialog i tërthortë”, u shpreh Macron, përcjell A2 CNN.
Një ditë më parë Osmani tha se: “Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohen reformat e ndërmarra, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100% me politikat e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë. Më shumë po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së.