Presidenti francez, Emmanuel Macron, duket e ka përshpejtuar edhe më shumë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kur gjatë Forumit “Future Investment Initiative”, i cili mbahet në Tiranë, tha se brenda dy viteve, shqiptarët do të jenë në BE.
Këtë Macron e bëri teksa u kërkoi investitorëve globalë të investojnë në një vend si Shqipëria, i cili nën lidershipin e kryeministrit Edi Rama, ka sjellë rezultate konkrete në fushën e investimeve.
Por ajo çfarë e tërhoqi vëmendjen më shumë nga Macron, ishte fakti se ai e trajtoi vendin si pjesë të Unionit më shumë se aspirant dhe tha se brenda dy vjetësh, shqiptarët do të jenë pjesë e BE, si për ta bërë edhe më joshëse ofertën për investitorët e huaj.
Ai theksoi qartë ftesën për investitorët e huaja që të derdhin para në Shqipëri dhe si arsye primare për këtë dha udhëheqjen e fortë të kryeministrit Rama, i cili ka treguar rezultate konkrete.
Nga ana tjetër, duke iu referuar mandatit të qartë qeverisës që Rama mori më 11 maj, Macron tha se Shqipëria tashmë është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian dhe se mund të anëtarësohet edhe në dy vitet e ardhshme me reformat e duhura.
Për këtë, garantoi se edhe nga Brukseli do të japin rezultate, pasi përmendi se ka një linjëzim tashmë shumë të fortë mes Francës dhe Gjermanisë, të cilat do të bëjnë më të mirën për të realizuar nga ana e tyre agjendën e zgjerimit, të shumëpërfolur.
“Investoni në Evropë, kemi nevojë për besimin tuaj”, u bëri në fund thirrje Macron investitorëve globalë të mbledhur në këtë ngjarje madhore për Shqipërinë, por edhe për fushën e biznesit mbarëkontinental.