Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, Maqedonci ka thënë se avancimi i Kuvendit të Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar është një hap i madh për sigurinë.
“Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vendosi sot ta avancojë Kuvendin e Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar. Ky është një hap i madh përpara për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar ai.
Maqedonci ka shtuar se anëtarësimi në NATO dhe BE është thelbësor për çdo vend demokratik.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Hyseni, i cili është kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ka bërë të ditur se gjatë punimeve të së dielës të Komisionit të Përhershëm drejtues të kësaj asambleje që po mbahet në Estoni, Kosovës i është ngritur statusi në nivelin e anëtarit të asociuar.