Maqedonia e Veriut ka riatdhesuar 23 shtetas të saj nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Katër prej tyre kanë marrë pjesë në luftime përkrah grupit militant, Shteti Islamik (ISIS), ndërsa personat e tjerë janë pesë gra dhe 14 fëmijë.
Burrat u dërguan menjëherë në burg, ndërsa gratë dhe fëmijët janë futur në një karantinë 14-ditore.
“Kundër katër luftëtarëve të huaj terroristë, pas provave të siguruar nga Ministria e Brendshme, Byroja e Sigurisë Publike dhe në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, janë paraqitur padi penale. Të tjerë nëse dëshmohet se nuk janë përfshirë në veprime që i nënshtrohen përgjegjësisë penale-juridike, do të fillojë procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit të tyre në komunitet”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Operacioni u krye me ndihmën e Ambasadës amerikane në Shkup, bazuar në detyrimet e vendit sipas ligjit ndërkombëtar, standardeve dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një operacion i tillë. Në gusht të vitit 2018 u kthyen shtatë persona, në shkurt të vitit 2020 një person dhe po në mars të vitit të shkuar, u kthyen tri gra. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak, si pjesëtarë të forcave paraushtarake. Deri tani rreth 100 prej tyre janë kthyer në shtet.