Marrëveshja e Ohrit, Blinken: Zbatimi i hap rrugën njohjes së Kosovës nga 5 vendet e BE

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vlerësoi marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër dhe shtoi se zbatimi i saj mund t’i hapë rrugë njohjes së Prishtinës nga 5 vendet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur ende atë.

Sipas Zërit të Amerikës, deklarata e Blinken erdhi pas pyetjeve të senatores demokrate Shaheen e cila e pyeti sekretarin në lidhje me angazhimin e tij për të bindur këto 5 vende.

“Por nëse Kosova dhe Serbia arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, kjo do të kishte një efekt pozitiv dhe besoj se me kalimin e kohës do të arrijmë në atë pikë, por mendoj se për pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, fakti që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen dhe duke supozuar që do ta zbatojnë, kjo do t’i shtyjë ato drejt njohjes”, tha Blinken.

Në lidhje me takimin në Ohër, sekretari i Shtetit e cilësoi një hap përpara dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar shumë në këtë proces.

“Besoj se ajo që është e rëndësishme përveç faktit që të dyja vendet kanë rënë dakord në parim që ta bëjnë një gjë të tillë, është që këto angazhime janë pjesë e planeve të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, prandaj shpresoj që kjo të jetë një nxitje që ato t’i zbatojnë ato”, tha ai.