Arlen Hasanaj, 34 vjeç, është arrestuar për tritolvënien në shtëpinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në Durrës.
Në momentin e ndalimit nga policia ai mbante ende veshur xhupin me të cilin fshehu fytyrën kur vendosi eksplozivin.
34-vjeçari rezulton banor i të njëjtës lagje me kreun e FSHF-së dhe sipërmarrës me disa biznese.
Ai u identifikua pasi ishte fiksuar nga një kamera sigurie në afërsi të portit nga ku më pas me anë të një automjeti ka shkuar në një pallat.
Në momentin e ndalimit Hasanaj mësohet se nuk ka bërë rezitencë por nuk ka pranuar as të jetë ai personi që sulmoi me tritol banesën e Armand Dukës.
Por ndërsa policia e Durrësit i ka dhënë përgjigje pyetjes së kush është autori, ende mbetet mister motivi i ngjarjes pasi pasoi një valë akuzash e sulmesh politike nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndaj kreut të FSHF-së.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i kontaktuar nga Ora Neës mohoi se kishte konflikte me 34-vjeçarin Hasanaj.
Ky i fundit pritet të merret në pyetje sërish në orët në vijim për të zbardhur se cila ishte arsyeja që vuri eksplozivin.
Policia e Durrësit në një njoftim zyrtar tha se ka ngriotur ndaj tij akuzat “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.