Ndërsa numri të vdekurve nga koronavirusi ka shkuar më shumë se 1 mijë veta, dy zyrtarë të lartë shëndetësorë në provincën Hubei, që është epiqendra e shpërthimit të virusit, janë shkarkuar nga detyra. Situata atje vazhdon të jetë alarmante. Megjithatë një epidemiolog kinez parashikon se virusi do të vihet nën kontroll brenda këtij muaji.
Sipas epidemiologut të njohur kinez, Zhong Nanshan, brenda pak ditësh pritet që të përmirësohet situata me koronavirusin vdekjeprurës.
“Kemi bërë parashikimet bazuar në zhvillimet e ditëve të fundit, rrezikun dhe ndërhyrjen e fortë nga qeveria kineze. Prandaj mendojmë se kulmi do të arrihet në mes ose në fund të muajit shkurt. Do të qëndrojë ashtu për disa ditë dhe pastaj shifrat do të bien. Ditëve të fundit, ndonëse në Ëuhan situata ndryshon vazhdimisht, në provinca tjera numri i të infektuarve po bie gradualisht, ky është lajm i mirë për ne”, tha ai.
Zoti Nanshan tha se Kina duhet të mësojë nga përhapja e kësaj epidemie.
“Kina duhet të krijojë një ligj shumë të rreptë. Duhet të ndalohet mbajtja ose ngrënia e kafshëve të egra. Kjo mund të jetë një pikë shumë e rëndësishme, sepse pikërisht kjo besoj se shkaktoi koronavirusin e fundit”, tha epidemiologu Nanshan.
Televizioni shtetëror kinez njoftoi të martën për shkarkimin e dy zyrtarëve më të lartë të komisionit shëndetësor në provincën Hubei.
Vendimi vjen një ditë pasi u raportua për 103 vdekje të reja në këtë provincë, duke e çuar në 1 mijë e 17 numrin total të të vdekurve.
Miliona njerëz ndodhen në karantinë. Banorët po ankohen për mungesë ushqimesh.
Gjithsej në Kinë, numri i të prekurve me virusin është 43 mijë.
Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi pacientët në Pekin dhe kërkoi masa shtesë kundër virusit.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se alarmi është rritur sidomos pas rasteve në Britani dhe Francë, ku janë hasur të infektuar që nuk kanë udhëtuar në Kinë.
Britania e shpalli virusin kërcënim serioz pas raportimit të katër rasteve të reja, që e çon në 8 numrin e të prekurve.
Deklarata e ministrit britanik të shëndetësisë, Matt Hancock, i jep autoritet qeverisë të izolojë njerëzit.
Vdekshmëria nga koronavirusi është më e lartë krahasuar me epideminë e SARS-it në vitet 2002-2003 kur besohet se 774 persona vdiqën ndërsa 8 mijë e 100 u infektuan.