Dikur pinin raki bashkë, por sot i ndajnë deklaratat dhe akuzat. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikon qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se nga qeveria e tij janë larguar nga vendi mbi 200 mijë qytetarë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj akuzon kabinetin e Kurtit se ka dhënë mbi 250 milionë euro tendera një burimorë, ndërsa liston ato që i konsideron gropa të zeza buxhetore.
“Kosova është nën sanksione të BE dhe SHBA dhe kjo është e paparë dhe historike. Dëmi deri tani është rreth 300 milionë euro, pra gropë e madhe e buxhetit dhe tepër historike. Albini e ka implementuar marrëveshjen e 2013-tës për ngjitësa, targa të veturave dhe sot paska thënë edhe marrëveshjen për energji dhe kjo është historike. E ka marrë statusin e ‘Veteranit të Luftës’ pa e veshur kurrë uniformën e UÇK-së dhe pa prekur kurrë armë me dorë, siç e parasheh ligji. Kjo s’ka qenë e lehtë, por është historike dhe goxha njëfarë grope. Asnjë njohje për 4 vjet qeverisje, asnjë anëtarësim”, tha Haradinaj.
Ky reagim i Haradinaj u nxit nga kjo deklaratë e kryeministrit Kurti gjatë të dielës.
“Në këtë gjashtë mujor për herë të parë filloi edhe regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit dhe inkasimi për konsum të energjisë. Në fund e pas një kohe shumë të gjatë e cila matet me dekada e jo me vite, vrima prej të cilës rrjedhje pa ndërprerë e ma masë paraja e buxhetit tonë, po mbyllet një herë e përgjithmonë”, u përgjigj Kurti.
Haradinaj vijon më tej akuzat duke theksuar se kryeministri Kurti po i bën të gjitha këto si pjesë e fushatës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, që priten të mbahen në fund të këtij viti apo fillim të 2025-ës.