Mblodhi mbi 100 mijë euro përmes mashtrimeve në facebook, pranga 28-vjeçarit

Një 28-vjeçar, i identifikuar si Liridon Peka, është arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se vidhte llogaritë e shtetasve të ndryshëm kosovarë dhe i përdorte ato për të kërkuar para te familjarët e afërt të tyre. Përmes kësaj skeme, duke mashtruar të afërmit e shtetasve që iu kishte vjedhur facebook-un i riu arriti të siguronte shuma të ndryshme pararash që kapin vlerën e mbi 100 mijë euro.

Policia mundi të sekuestrojë 7 karta bankare, 2 laptopë, si dhe pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara pas tërheqjes së shumave monetare.

“Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin: L. P., 28 vjeç, banues në Tiranë.

– Advertisement –

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vjedhur llogaritë e shtetasve të ndryshëm kosovarë, në rrjetin social facebook, dhe më pas ka komunikuar me familjarët dhe të afërmit e këtyre shtetasve, për t’iu kërkuar shuma të ndryshme  parash, me pretendimin se ishte në spital ose për arsye të tjera. Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit kanë dërguar shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare. Shuma e përfituar nga kjo veprimtari kriminale është mbi 100 000 euro”, njofton policia.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.