Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është ende herët që të flitet se me çfarë dokumente do të udhëtojnë kosovarët kur të bëhet funksionalizimi i linjës ajrore Prishtinë – Beograd.
Pas mbledhjes së qeverisë në detyrë, Haradinaj tha para gazetarëve se mund të gjendet një zgjidhje si ajo me Sllovakinë apo Greqinë që të njihen pasaportat.
“Ne mendoj se fakti se është linjë ajrore i bën disa ndryshime në regjimin që ka ekzistu në mes të Kosovës dhe Serbisë për udhëtim, është fakt i ditur se qindra mijëra qytetarë tonë kalojnë nëpër Serbi, ka pas një regjim të udhëtimit, mendoj se kjo linja ajrore e implikon pak më shumë, po është ende herët ta shpallim ndonjë fitore të caktume, mendoj ndonjë të ardhme ta gjejmë ndonjë zgjidhje si ajo me Sllovakinë, me Greqinë, me vendet tjera që se kanë njohur Kosovën, po mund të njihen dokumentet e Kosovës në këtë rast pasaporta”, tha ai.
Haradinaj shtoi se këto janë vetëm modalitete, e duhet të ju lihet kohë kësaj.
“Është herët të deklarohet për këto modalitete, janë operacionale edhe i kisha lanë kohë kësaj, po flitet që vërja e kësaj linje ajrore mund t’i merr disa javë, nuk isha nxitu, nga ajo që e shoh unë e kisha lënë hapur mundësinë që me ndodh një avancim, vetëvetiu linjat ajrore të obligojnë me dokumentacion ndryshe, situatë ndryshe, ata munden me qenë udhëtar që kalojnë edhe në drejtime tjera”, ka thënë kryeministri në detyrë.