Patriarku serb Porfirie nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për t’i refuzuar kërkesën për të vizituar sot Patriarkanën e Pejës.
Pasi autoritetet e Prishtinës ia ndaluan hyrjen kreu i Kishës Ortodokse Serbe reagoi përmes llogarisë tij në Instagram, duke e cilësuar Kosovën, shtëpinë e tij.
“Të gjitha dyert e kësaj bote janë të hapura për mua, ashtu si dyert tona janë të hapura për të gjithë, vetëm dera e shtëpisë sime, Patriarkanës së Pejës, është e mbyllur dhe nuk më lejojnë të hyj”, shkruan ai.
Më tej, Porfirie ngre dyshime për mënyrën si trajtohen serbët në Veri, duke marrë parasysh faktin që një figure të lartë si ai, Kosova i ndalon hyrjen.
“Si Patriark i Serbisë, si qytetar dhe si besimtar, e di dhe them se, herët a vonë, atë derë do ta hapë vetë Zoti. Ata që mbyllën derën e shtëpisë së faljes, së pari i bëjnë keq vetes, e pastaj të gjithë njerëzve, ia mbyllën derën çdo të mire, bekimi dhe lumturie. Kur patriarkut serb i mohohet liria e lëvizjes si në këtë rast, çfarë po ndodh me serbët që jetojnë aty. Unë u them atyre të durojnë sepse kushdo që do të durojë deri në fund do të shpëtohet. Nëse ata i mbyllën dyert e Patriarkanës së Pejës për Patriarkun serb, është e sigurt se nuk mund ta mbyllin dashurinë tonë dhe qëllimet tona të mira. Është e sigurt që për ne, veçanërisht në Kosovë dhe Metohi, qielli është i hapur dhe do t’i hapë të gjitha dyert që i ka mbyllur e keqja.”