Më mirë vdes me armë në dorë se të dorëzohem e të më vrasin gjithsesi, thotë kryebashkiaku i Dnieprit

Borys Albertovish Filatov, mund të ketë gjak rus, por edhe armiku përballë tij ka po të njëjtën linjë gjenetike.

Kryebashkiaku i Dnieprit, është ndër ata qytetarë të Ukrainës, të cilët janë me origjinë të largët nga Rusia, nga të dy prindërit. Pra, në vetvete, ai nuk ka pikë gjaku ukrainas, që i rrjedh në vena.

Por, si ka ardhur historia në këtë pikë të kombit të Ukrainës, ai preferon më mirë të vdesë me armë në dorë, se sa të dorëzohet tek rusët, e të vritet gjithsesi.

“Armiku im është rus”, ka thënë ai në një rrëfim të pas-luftës. “Kjo është absurde. Nuk e di as çfarë po mendonte Putini të bënte me armatën e tij dhe me zyrtarët e lartë që ka rreth vetes, kur vendosi të mësyjë në Ukrainë”.

Sipas Filatov, pasojat nuk do të ndalen në kohë afatshkurtër, por në një periudhë afatgjatë. Ndoshta, në dhjetëvjeçarët që do të vijnë!

“Në çdo mënyrë që kjo luftë mund të mbarojë, Putini nuk do të jetë në gjendje ta zhbëjë Ukrainën. Nuk do ta përtypë dot kombin ukrainas. Gjysma edhe mund të ikin nga trojet, po askush nuk do të mbetet gjallë nën zgjedhë”.

Në vëmendje, ai risjell fjalët e ish-kryeministres izraelite, Golda Meir, e cila për hir të rastësisë, ka lindur në Kiev. Në kujtesën historike, Meir ka deklaruar gjatë kohës që ka qenë kryeministre, se “nuk mund të flitet për paqe, kur tjetri kërkon të të shohë të vdekur”.

Analogjikisht me Putinin, kjo po ndodh edhe në Ukrainë. Bisedimet për paqe, janë të pamundura sipas Filatov, nëse kundërshtari po bën gjithçka për të të zhbërë.

Andaj, për të, është më mirë të vdesë me armë në duar duke luftuar, se sa të dorëzohet e të vritet gjithsesi nga rusët.

“Për çdo ushtar ukrainas, është një nder, të vdesë e të marrë me vete dy ose tre kundërshtarë rusë. Më pas, Zoti do ta gjykojë gjithçka”, shton ai.

Ndërsa, mbi parimet ukrainase, themelore, është liria. Ose të paktën, kështu mendon kryebashkiaku dhe këtë e ka treguar populli ukrainas me qëndresën që ka ndërmarrë ndaj agresionit rus.

“Nuk duam të jetojmë në botën ruse”, përmbyll ai. “E kemi bërë zgjedhjen tonë. Më mirë të vdesim me kokën lartë, se të jetojmë të ulur në gjunjë”.