Trupat ushtarake amerikane dhe mjete të rënda luftarake mbërritën të premten në Poloni dhe Gjermani, sipas planit për rritjen e numrit të ushtarëve amerikanë në Europë, përballë frikës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Më shumë se 200 makina luftarake Stryker të regjimentit të 185-të të Këmbësorisë të Batalionit të Parë të Gardës Kombëtare mbërritën në portin polak Gdyna, ndërsa shumica e ushtarëve mbërritën me avion.
Në total, Shtetet e Bashkuara do të dërgojë 2000 ushtarë në këto dy shtete, ndërsa 1000 të tjerë do të pozicionohen në Rumani. Në Poloni gjenden edhe 4000 ushtarë të tjerë, në pjesë të ndryshme të vendit, disa prej tyre si pjesë e misionit të NATO-s, vetëm 70 kilometra larg Kaliningradit, eksklavës ruse në Europë.
Administrata Biden ka deklaruar se dërgimi i trupave është bërë për të siguruar vendet aleate të NATO-s që Shtetet e Bashkuar i qëndrojnë pikës 5 të Traktatit të Atlantikut Verior, për reagim të përbashkët në rast sulmi të një shteti. Presidenti Biden e ka quajtur këtë pikë “një detyrim të shenjtë”. Gjithashtu, Pentagoni ka vendosur në gjendje gatishmërie edhe 8500 trupa të tjerë, të cilët mund të dërgohen me mision në çdo moment.
Veprimet e amerikanëve janë quajtur “shkatërruese” nga ana e Rusisë, por vetë Moska ka dërguar trupa në Bjellorusi, ku po kryen stërvitje të ngjashme ushtarake në Bjellorusi, ndërkohë që ka dërguar rreth 100 mijë trupa në kufirin lindor me Ukrainën, si dhe ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar që në vitin 2014 prej Ukrainës.