Komisioni i Bashkimit Evropian, më 12 tetor 2022, do të publikoj raportin e politikave të zgjerimit të BE-së, në të cilin sipas burimeve të “Radio Evropa e Lirë”, do t’i referohet qëndrimit të Serbisë sa i përket harmonizimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së.
Për mediumin kroat “Jutarnji List” kjo gjë për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vucic, do të jetë “Dita D” ose “Dita e Vendimit”.
“Përkatësisht, Brukseli tashmë e ka humbur durimin me Aleksandar Vuçiç-in për sa i përket çështjes së sanksioneve, ndërsa së fundmi në Bullgari ka thënë hapur se nuk do t’i vendosë ato. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha për rrugën evropiane të Serbisë”.
Sipas njohësve të çështjeve politike, nëse Vuçiç nuk do t’iu bindet kushteve të BE-së atëherë ngrirja e negociatave dhe pezullimi i gjithë procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE, do të vihet në shprehje.
Krahas kësaj, Serbia dyshohet se po nxitë edhe valën e emigrantëve në BE si një dhuratë për Moskën.
“Qytetarët e Indisë dhe Tunizisë mund të hyjnë në Serbi pa viza dhe vetëm këtë vit nga ato vende kanë ardhur 15 mijë kërkesa për azil në Austri”, ka shkruar “Vienna Wiener Zeitung”, transmeton “Jutarnji List”.