Ankesa e LVV’së rreth ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi që ky subjekt e dërgoi sot në Gjykatë Kushtetuese mund ta kthejë në pikën zero çdo gjë në Kosovë. Jeta e kryeministrit Hoti mund të jetë më jetëshkurtër se ajo e Kurtit.
Lëvizja Vetëvendosje sot i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretim për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, në seancën ku u votua për qeverinë në krye me Avdullah Hotin.
LVV’ja thotë se kjo votë është ndesh me Kushtetutën, për faktin se deputeti Arifi është i dënuar me burg me vendim të shkallës së fundit.
Por, njohësit e cështjeve kushtetuese me të cilët ka folur Gazeta Express thonë se rasti mund të shkoj keq për Qeverinë e sapozgjedhur pasi deputetit është dashur t’i merret mandati dhe të mos lejohet të votojë në këtë seancë.
Ata thonë se nëse Gjykata Kushtetuese vendosë që votimi i deputetit Arifi të shpallet antikushtetues përveç që do të çojë në rrëzimin e qeverisë sapozgjedhur, atëherë do të ngrihen pikëpyetje se kush do të jetë u.d kryeministër, Kurti a Hoti.
Hoti do e ketë të drejtë të jetë prapë në garë për kryeministër sepse vetëm procesi i zgjedhjes së qeverisë do të llogaritet i dështuar.
Pas votimit të Qeverisë Hoti se VV e ka kontestuar votën e Arifit, duke deklaruar se do të kërkojnë interpretim të ligjshmërisë së këtij vendimi.
Kushtetuta e Kosovës e saktëson se mandati i deputetit bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për ndonjë vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim.
Për rastin e Arifit, Zyra Ligjore e Kuvendit ka përgatitur një opinion ligjor, që është shpërndarë në kryesi me datë 18 maj.
Aty thuhet se nga analizimi i dispozitave kushtetuese dhe ligjore si dhe nga konstatimi i gjendjes faktike, del se vendimi për Arifin ka marrë formën e prerë para se ai të certifikohej si deputet në këtë legjislaturë.
Në përfundim të këtij opinioni të hartuar nga zyra ligjore thuhet se në këtë rast nuk gjejnë zbatim dispozitat kushtetuese dhe ligjore që lidhen me rolin e Kuvendit për marrjen e deputetit.
Sipas Kuvendit, KQZ’ja është organ kompetent për verifikimin e kritereve formale që duhet të plotësojnë kandidatët për deputet, para certifikimit të tyre.