Në vazhdën e takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, sot janë pritur në takim edhe nga Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, njëherazi këshilltari ushtarak i Presidentit dhe i Sekretarit të Mbrojtjes, gjeneral Daniel R. Hokanson.
Sipas komunikatës, në këtë takim është biseduar rreth arritjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimin me kuadro në aspektin profesional, suksesin e treguar në bashkë zbarkimin në Kuvajt si dhe në ushtrimin fushor “Defender Europe ’21”.
“Po ashtu, u bisedua rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, si dhe kontributin që mund të ofrojë FSK dhe Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, si partnere e besueshme e SHBA-së”, thuhet në komunikatë.
Në situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, ministri Mehaj ka shprehur gatishmërinë e FSK-së për të ofruar trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit, deminimit, si dhe mbështetjen e pakursyer në misione humanitare për transportimin e ndihmave si dhe refugjatëve ukrainas, ashtu siç për muaj të tërë është asistuar në misionin e NATO-s për evakuimin e refugjatëve afganë.
Në anën tjetër gjeneral Hokanson, premtoi vazhdimin e bashkëpunimit përmes Programit të Partneritetit Shtetëror, ndërinstitucional, në fushën ushtarake dhe në sferat tjera.
“Stërvitjet e përbashkëta me Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përvojë e jashtëzakonshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa pjesëmarrja e FSK-së misione humanitare dhe paqeruajtëse jashtë vendit është obligim ndaj njerëzimit, lirisë së pamohueshme dhe aleancës ndërmjet popujve për të ruajtur paqen dhe sigurinë e përgjithshme. FSK do të jetë gjithmonë përkrah ushtrisë amerikane”, citohet të ketë thënë ministri Mehaj.