Anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se disa zyrtarë evropianë, përfshirë eurodeputeten Viola Von Cramon dhe ish-deputeten Doris Pack po përpiqen që të “lajnë” hesapet e tyre me SHBA-në duke e përdorur Kosovën.
Tërmkolli është shprehur se deklaratat e Von Cramon dhe Doris Pack kanë një mesazh, atë të mosbesimit ndaj SHBA-ve.
“Eurodeputetja Viola von Cramen-raportuese për Kosovën në Parlamentin evropian dhe disa deputetë tjerë, po ashtu edhe Doris Pack, udhëheqëse e forumit të grave të EPP, këto ditë po shprehen shumë të shqetësuar për Kosovën, për qeverinë e Kosovës, për coronacirusin, etj. Në fakt këto deklarata kanë vetëm një mesazh: mosbesimin ndaj SHBA-ve. Në këtë kontekst, nuk hezitojnë ta “qortojnë” LDK-në për rrëzimin e qeverisë e në përkrahje të hapur Albin Kurtit, si shpërblim për kundërshti ndaj SHBA-ve, apo ka edhe më tepër në këtë mes. Është kjo një sjellje e papresedan e eurodeputetëve të cilët përpiqen që përmes Kosovës të “lajnë” hesapet e tyre me SHBA-në e gjëja në mbrojtje të interesave të Kosovës”, ka thënë ish-deputetja.
Tërmokolli po ashtu ka thënë se shtytja për një “armiqësi” me SHBA-në është me pasoja historike.
“Është shumë e dhimbshme dhe me pasoja historike jo veç për Kosovën por edhe për BE-në mungesa e një harmonizimi më të madh të politikave me SHBA-të në raport me Kosovën. Shtytja për një “armiqësi” me SHBA-në, është jo veç e dëmshme por paraqet rrezik nacional për Kosovën. Ne duam dhe është interes i yni bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me BE-në”, ka thënë ajo.
Reagimi i plotë:
Deputetët evropianë dhe “lotët e krokodilit”
Eurodeputetja Viola von Cramen-raportuese për Kosovën në Parlamentin evropian dhe disa deputetë tjerë, po ashtu edhe Doris Pack, udhëheqëse e forumit të grave të EPP, këto ditë po shprehen shumë të shqetësuar për Kosovën, për qeverinë e Kosovës, për coronacirusin, etj. Në fakt këto deklarata kanë vetëm një mesazh: mosbesimin ndaj SHBA-ve. Në këtë kontekst, nuk hezitojnë ta “qortojnë” LDK-në për rrëzimin e qeverisë e në përkrahje të hapur Albin Kurtit, si shpërblim për kundërshti ndaj SHBA-ve, apo ka edhe më tepër në këtë mes. Është kjo një sjellje e papresedan e eurodeputetëve të cilët përpiqen që përmes Kosovës të “lajnë” hesapet e tyre me SHBA-në e gjëja në mbrojtje të interesave të Kosovës.
Në këtë rrafsh shtrohen disa pyetje e pikëpyetje.
Në radhë të parë për raportuesen për Kosovën, Viola von Cramon, duke sjellë në vëmendje disa fakte që na bëjnë të sheshojmë shqetësimet tona të mëdha si pika kyçe pse Kosova është në gjendjen e sotme.
Së pari: Është shumë e dhimbshme dhe me pasoja historike jo veç për Kosovën por edhe për BE-në mungesa e një harmonizimi më të madh të politikave me SHBA-të në raport me Kosovën. Shtytja për një “armiqësi” me SHBA-në, është jo veç e dëmshme por paraqet rrezik nacional për Kosovën. Ne duam dhe është interes i yni bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me BE-në.
Së dyti: Gabimi historik për Kosovën nuk i referohet SHBA-së, siç po deklarohet raportuesja për Kosovën. Historikisht zgjidhjet për Kosovën kanë ardhur nga SHBA, sigurisht në bashkëpunim me BE-në. Gabimi historik i referohet znj. Federika Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së si ndërmjetësuese e BE-së në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kur hodhi në tavolinë të bisedimeve hartat e kufijtë e Kosovës.
Së treti: BE kërkoi me ngulm e ultimatume pranimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi me garancat për liberalizimin e vizave. Sot, edhe pas kaq viteve, Kosova është në karantinë të dyfishtë: nga BE-ja dhe nga coronavirusi. Kosova, i vetmi vend evropian pa liberalizim të vizave.
Së katërti: Mosndëshkimi i krimit dhe gjenocidit të Serbisë, përveç çështje morale, ka vënë në pikëpyetje edhe shumë vlera tjera. Gjermania, zyrtarët më të lartë të saj, edhe sot pas sa dekadave ende shprehin keqardhje për L.II. Botërore. Serbia shpërblehet dhe avancohet nga BE-ja në të gjitha aspektet, edhe politike, edhe ekonomike etj. duke i dhënë edhe statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Pa shprehur dhe pa i kërkuar as edhe keqardhjen më të vogël.
Së pesti: BE solli në Kosovë EULEX-in, shpresa më e madhe e qytetarëve të Kosovës në luftimin e krimit e korrupsionit ndërsa pikërisht në këtë periudhë, krimi e korrupsioni shpërtheu në mënyrë galopante duke gllabëruar Kosovën. Asnjëherë BE nuk denjoi të merret me këtë çështje. U mjaftua ta dënoj Kosovën dhe qytetarët e saj.
Së gjashti: një dilemë jo vetëm morale që i referohet moshës dhe mendësisë politike, si referenca ndaj deklaratës së raportueses për Kosovën: vetëm mund të paramendohet sikur dikush në Gjermani apo kudoqoftë të sulmonte kancelaren Merkel që të largohet nga politika për shkak të jetëgjatësisë së saj në këtë pozitë apo për shkak të moshës?! Do të quhej racizëm!
Për znj Doris Pack, kontribuese e madhe e lirisë e pavarësisë së Kosovës, mike e madhe e Kosovës, e LDK-së, e FGLDK, në kontekst të zhvillimeve të fundit shtroj çështjen që hapë dilemën: ose mikja jonë Doris Pack nuk është më pjesë e CDU-së ose Albini nuk është i majtë, promovues i neokomunizmit në trollin evropian, në Kosovë. Po e lë me kaq, tani për tani!.
Ka edhe shumë e shumë gjëra tjera, mbase herë tjetër merremi me to, por më së paku është e pritur dhe e mirëpritur nga Kosova që deputetët evropianë të deklarojnë e veprojnë mbi bazë të preferencave personale politike. Kosovës i duhet një qasje institucionale përfaqësuese.
Sigurisht nuk do të hedhim fajet askund, kemi hesapet tona brenda nesh, por së paku mos bëni sikur po brengoseni shumë për ne.
Ne do të jemi përjetë mirënjohës për të gjitha kontributet e BE-së për vendin tonë, për popullin tonë në Kosovë e në vendet evropiane ku jetojnë e punojnë shqiptarët, qytetarët tanë.
Politika jonë do të jetë gjithnjë evro-perëndimore, në bashkëpunim të plotë me SHBA-të dhe BE-në. Komunizmi e neokomunizmi, besoj nuk kanë vend as në Kosovë as në Evropë apo kudo tjetër.