Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka vlerësuar se ekziston mundësia që presidenti rus Vladimir Putin të priste largimin e saj nga pushteti për agresionin kundër Ukrainës.
“Mund të jetë që largimi im ishte një kontribut për këtë, siç janë zgjedhjet në Francë dhe tërheqja e trupave nga Afganistani, si dhe ngërçi në negociatat në Minsk,” shpjegoi Merkel në një intervistë me rrjetin gjerman RND.
Ajo tha se ndikimi i saj mbi Putinin “u zhduk” pak para përfundimit të mandatit të saj.
“Ishte e qartë se nuk do të isha në pushtet për një kohë të gjatë, kështu që më duhet të pranoj se përpjekjet e ndryshme gjatë vitit të kaluar nuk kanë kontribuar asgjë”, shpjegoi Merkel.
Ajo vuri në dukje se Putin nuk ishte gati për samitin e të ashtuquajturit Formati i Normandisë vitin e kaluar.
“Nga ana tjetër, përveç Formatit të Normandisë, nuk arrita të krijoj një format shtesë evropiano-rus për bisedimet për çështjen e sigurisë evropiane,” pranoi Merkel.
E pyetur nëse do të vihej në dispozicion si ndërmjetëse për të gjetur një zgjidhje për konfliktin, Merkel u përgjigj se “kjo pyetje nuk po bëhet për momentin”.
Ish-kancelarja gjermane mbrojti vendimet e saj politike dhe qëndrimin pozitiv ndaj gazsjellësit “Rrjedha e Veriut 2”, pavarësisht aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Ajo hodhi poshtë pretendimet se tubacioni i gazit e vuri Ukrainën në rrezik më të madh sesa pushtimi rus.
“Teza në atë kohë ishte – nëse Nord Stream 2 vihet në punë, Putini nuk do të dërgojë më gaz përmes Ukrainës ose do ta sulmojë atë. Perëndimi, megjithatë, ka siguruar që gazi të vazhdojë të rrjedhë përmes Ukrainës dhe që vendi të vazhdojë të paguajë për tranzit. Putini më pas sulmoi Ukrainën, megjithëse asnjë metër kub gaz nuk kaloi përmes Nord Stream 2. Në këtë drejtim, gazi nuk është një armë”, tha Merkel.
Ajo shtoi se qëndrimi i saj ka marrë parasysh çmimet e larta të energjisë duke inkurajuar burimet e rinovueshme të energjisë, duke hequr dorë nga energjia bërthamore, por edhe nga shfrytëzimi i qymyrit.
“Ekonomia gjermane vendosi për gazin rus, pasi ishte ekonomikisht më i favorshëm se gazi i lëngshëm nga Arabia Saudite, Katari apo Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara. Politikisht, ishte një çështje e importimit të gazit të lëngshëm më të shtrenjtë dhe ekologjikisht të diskutueshëm në vend të gazit rus, në kundërshtim me dëshirat e ekonomisë, në kundërshtim me fuqinë industriale të Gjermanisë,” vuri në dukje Merkel.