Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, në një bisedë me gazetarët sot në Baku tha se Serbia është problemi kryesor në rajonin e Ballkanit, raporton Al-Jazeera.
“Dhe ata që erdhën në pushtet në Serbi, nuk ishin kundër Millosheviqit, sepse ai shkoi në luftë, por sepse ai nuk e fitoi luftën”, theksoi Mesiq.
Duke folur për çështjen e mosnjohjes së Kosovës, Mesiq tha se politika serbe është “shumë agresive”. Megjithatë, ai beson se Kosova është një “çështje teknike” dhe Serbia nuk mund ta arrijë Kosovën në asnjë mënyrë. “Është një iluzion”, deklaroi ai.
“Ata provuan gjithçka dhe tani kanë vendosur të prishin marrëdhëniet fetare që janë krijuar në Mal të Zi. Më duket se është e përkohshme, por e gjithë kjo lë shumë nervozizëm në rajon”, beson Mesiq.
Ish-presidenti kroat fajëson edhe Bashkimin Evropian, sepse nuk i ka zgjidhur disa nga problemet e brendshme.
“Sot, Bashkimi Evropian nuk ka një lider që ka vizion. Ju keni zyrtarë që i mbajnë gjërat, por nuk ofrojnë rrugëdalje. Ne nuk kemi liderë që do të tërheqin vendet që nuk janë në Bashkimin Evropian për t’iu bashkuar BE-së sa më shpejt të jetë e mundur. Nga njëra anë ka humbur entuziazmi i atyre që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe, nga ana tjetër, ju jeni lodhur duke u anëtarësuar. Natyrisht, këta liderë nuk e dinë se fati i Evropës është në bashkimin e saj. E gjithë kjo vonesë në zgjerimin e Bashkimit Evropian dëmton vetë BE-në dhe politikën botërore”, tha Mesiq.