Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi para gazetarëve në Tiranë se samiti i sotëm do të jetë një takim shumë i rëndësishëm dhe simbolik, pasi është hera e parë që mbahet një samit në një prej vendeve të Ballkanit.
“Jam i bindur që e ardhmja do të jetë më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Po punojmë fort që të kemi përparime. Sot për shembull do të nënshkruajmë marrëveshje për tarifat “roaming”. Tjetër element i rëndësishëm është mbështetja që duam t’i japim Ballkanit Perëndimor në raport me krizën energjetike nga agresioni rus në Ukrainë”, tha Michel.
“Është emocionues fakti që në rajon kemi një takim BE-Ballkan Perëndimor. Dua të përsëris që jemi të bindur se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt me Ballkanin Perëndimor brenda Europës. Të gjithë duhet të përmbushin detyrat e veta”, shtoi Presidenti i Këshillit Evropian.