Ministria e Financave nuk ka alokuar as të hënën deri në orën 16:00 pagat për grevistët.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KSP se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, theksoi ai.
Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka pritur që pagat të dalin të hënën gjatë ditës.
Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se mos ekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligj.
“Është persekutim ndaj grevistëve. Përndryshe, secili grevist që paraqet Padi në gjykatë, përveç pagës, pastaj do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jetë 480 euro për një muaj, shteti do të paguajë diku 1500 euro. Në fund faturën e paguan taksapaguesi”, ka shkruar Miftaraj.