Mijëra njerëz kërkojnë ta adoptojnë foshnjën që lindi nën rrënoja nga tërmeti në Siri

Mijëra njerëz kanë ofruar të adoptojnë vajzën e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veri-perëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës.

Kur ajo u shpëtua, foshnja Aya – që do të thotë mrekulli në arabisht, ishte ende e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës.

Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris, raportoi BBC-ja të enjten.

Aya tani është në spital.

“Ajo mbërriti të hënën në një gjendje shumë të keqe. Kishte gunga, mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”, ka thënë Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.

Mjeku ka bërë të ditur se foshnja tani është në gjendje stabile.

Videot e shpëtimit të Aya u bënë virale në rrjetet sociale. Pamjet tregonin një burrë duke vrapuar nga mbeturinat e shembura të një ndërtese teksa mbante në duar foshnjën e mbuluar me pluhur.

Mijëra njerëz në rrjetet sociale kanë kërkuar tani detaje për mundësitë e adoptimit të foshnjës.

Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, thotë se ka marrë shumë telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë fëmijën Aya. Attiah, i cili ka një vajzë vetëm katër muaj më të madhe se ajo ka thënë se nuk do të lejojë askënd ta birësojë atë tani.

“Derisa të kthehet familja e saj e largët, unë po e trajtoj atë si një nga të miat”, ka thënë ai, duke shtuar se gruaja e tij po e ushqen me gji, së bashku me vajzën e tyre.