Ministri i Jashtëm hungarez akuzoi të enjten ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Budapest se po përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Hungarisë.
Në një konferencë për media në Budapest, ministri i Jashtëm Peter Szijjarto kritikoi komentet e ambasadorit David Pressman, i cili iu referua qasjes së Hungarisë ndaj luftës në Ukrainë si mbështetje të “politikave të miratuara nga Putini”.
Szijjarto tha se është “plotësisht e parëndësishme ajo që Pressman apo ndonjë ambasador tjetër mendon për procesin e brendshëm politik në Hungari, sepse nuk ka të bëjë fare me të”.
“Nuk është vendi i tij të ndërhyjë në punët e brendshme të Hungarisë”, tha Szijjarto.
Pressman, i emëruar ambassador nga administrata e Bidenit, i cili më parë shërbeu si ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara për Çështjet e Posaçme Politike, është përballur përplasje të tilla që nga marrja e detyrës si përfaqësues i SHBA-ve në Hungari në gusht të vitit të kaluar.
Mediat locale, të afërta me qeverinë e krahut të djathtë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, kanë akuzuar diplomatin për “ndërhyrje në gjyqësorin e Hungarisë dhe për nxitje të kolonializmit amerikan”.
Që nga marrja e detyrës, Pressman ka qenë i zëshëm sa i përket ndjenjave anti-amerikane në Hungari dhe për hezitimin e qeverisë së Orban për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.
Në një postim në Twitter në janar, Pressman pyeti: “Çfarë dobie i sjell Hungarisë dhe hungarezëve mbrojtja e oligarkëve rusë nga sanksionet?”
Megjithatë, qeveria e Hungarisë, e cila kishte një marrëdhënie miqësore me administratën amerikane nën ish-presidentin Donald Trump, ka këmbëngulur se sanksionet po dëmtojnë vendet evropiane më shumë se Rusinë dhe deklaroi se vetëm negociatat midis Moskës dhe Uashingtonit – dhe jo tërheqja e trupave ruse nga Ukraina – mund t’i japë fund luftës.
“Ajo epokë ka mbaruar. Hungaria është një vend sovran”, tha Szijjarto. “Askush nga jashtë nuk mund të na thotë se si të jetojmë.”