POLITIKE

Ministri kroat i përgjigjet kërcënimeve të Serbisë: Ka ikur koha kur pyetej Beogradi, Kosovën e kemi mike

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i është përgjigjur reagimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila njoftoi se Serbia “nuk do ta pranojë në heshtje” nënshkrimin e deklaratës që forcon bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Tri vendet, më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillim që ka nxitur reagime në Serbi, që e cilësoi si “provokim të hapur” drejtuar Beogradit

Ndaj këtij reagimi të Beogradit është përgjigjur ministri kroat i Mbrojtjes, duke thënë se koha kur shteti fqinj Serbia ka vendosur se çfarë do të bëjë Kroacia.

“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë do të bënte dhe si do të funksiononte. Ajo kohë është shumë prapa nesh dhe nuk do të ndodhë më kurrë. Kroacia është shtet i pavarur dhe sovran për 35 vjet, pasi ka kaluar pesë vjet agresion nga pikërisht ajo politikë e Beogradit që komunikon atë që komunikon”, tha ministri kroat, raporton Dnevnik.hr.

Kroacia, sipas tij, do të nënshkruajë memorandume me partnerët dhe aleatët e saj.

“Shqipëria është aleati ynë në NATO, kurse Kosova është vendi ynë mik të cilën ne e kemi njohur. Disa vende të tjera do t’i bashkohen memorandumit tonë. Asnjë letër në atë dokument nuk përmend Serbinë, ndonjë agresion apo ndonjë aktivitet që do të rrezikojë këdo, përfshirë Serbinë”, pohoi Anushiq.

Kroacia, shtoi ai, dëshiron të bashkëpunojë me vendet e tjera dhe të shkëmbejë njohuri me to.

“Kjo është pikërisht ajo që ne do të bëjmë dhe do të punojmë me Shqipërinë dhe Kosovën – për të asgjësuar luftën kibernetike, të cilës Kroacia i është ekspozuar prej pesë apo gjashtë vjetësh tashmë, ashtu si Shqipëria dhe Kosova. Ne do të punojmë së bashku për të parandaluar të gjitha këto kërcënime që po ndodhin në territorin e tre vendeve tona. Ky është thelbi dhe Kroacia sigurisht nuk do të kërkojë nga Beogradi se çfarë do të bëjë”, përfundoi ai.

Autoritetet serbe njoftuan më parë se Serbia ishte e gatshme të shqyrtonte bashkëpunimin në mirëbesim me Kroacinë dhe Shqipërinë.

“Mirëpo, kjo nismë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Kosovën, paraqet një provokim të hapur dhe një shpërfillje të madhe të realitetit në terren. Presim një përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet reale dhe qëllimet përfundimtare të kësaj loje të rrezikshme ushtarako-sigurie. Serbia nuk do të lejojë asnjë veprim të njëanshëm që mund të rrezikojë sigurinë e territorit të Serbisë”, tha ministria serbe punëve të Jashtme, përmes një deklaratë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili e nënshkroi deklaratën e bashkëpunimit së bashku me homologun nga Shqipëria, Pirro Vengu dhe atë kroat, Ivan Anushiq, tha se tri vendet nënshkruese angazhohen për avansimin e bashkëpunimit.

“Duke u bazuar në vlerat tona të përbashkëta, në orientimet e njëjta gjeostrategjike dhe në angazhimet e ndërsjella për bashkëpunim rajonal, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e hapave për mbrojtjen e territoreve dhe popujve tanë, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, tha Maqedonci pas nënshkrimit të deklaratës.

Sipas tij, të tri shtetet do të punojnë që të rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, do të angazhohen që të luftojnë kërcënimet hibride si dhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

“Ky bashkëpunim nuk është kërcënim për askënd, por një angazhim shtesë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë, Kosova është më e fortë, rajoni më i sigurt dhe paqja më e qëndrueshme”, tha Maqedonci.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e cilësoi deklaratën si hap të rëndësishëm drejt forcimit të aftësive mbrojtëse, zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimit të ndërveprimit ushtarak në rajon.

“Shqipëria dhe Kroacia do të vijojnë të mbështesin Kosovën në aspiratën e saj për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”, shkroi ai në X.

Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s, organizatë ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • KRYESORE

Përshkallëzohet tensioni në Gjirin Persik, Irani sulmon bazat amerikane me raketa balistike

Irani ka lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, pasi Shtetet…

23 minuta ago
  • FOTO&VIDEO

Propaganda pro-iraniane në protestat për Zvërnecin? Video “Lego” me AI paraqesin Shqipërinë si pjesë të rezistencës kundër Izraelit

Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë video të prodhuara me inteligjencë artificiale, në stilin…

24 minuta ago
  • KRYESORE

Izraeli dërgoi trupa në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin si pjesë e një rrjeti sekret në të gjithë rajonin

Izraeli vendosi fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin,…

5 orë ago
  • KRYESORE

Hovenier: Nëse Kosova s’i përgjigjet ofertës së Trumpit për gazin, SHBA-ja mund të humbasë interesin për të

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…

15 orë ago
  • POLITIKE

Rama: Protestat për Zvërnecin janë “luftë hibride”, po përdoren nga armiqtë e Shqipërisë dhe Izraelit!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…

15 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Gjashtë të kërkuar ndërkombëtarisht ekstradohen nga Dubai drejt Shqipërisë

Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe…

16 orë ago