Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili vjen nga radhët e listës “GUXO”, ka folur rreth zgjedhjeve lokale dhe kandidatëve të kësaj liste për komunat.
Peci të enjten në emisionin “Pressing” në T7, ka deklaruar se lista “GUXO” ka pasur ambicie që të ketë më shumë kandidatë për kryetarë të komunave, por ka përfunduar vetëm me një.
Peci tha se kjo duhet t’i shërbejë listës “GUXO” si shembull që në proceset e negocimit me Lëvizjen Vetëvendosje të mos bëjë kompromis në objkektivat e veta.
“Është e vërtetë që ne kemi pasur ambicie më shumë se sa të kemi një kandidat për kryetar. Nuk është që jemi të lumtur që në kuadër të koalicionit, partneritetit në nivel lokal ne kemi përfunduar vetëm me një kandidat, në këtë rast kandidate. Megjithatë unë mendoj se kjo duhet me na shërby si shembull për herë të tjera në procese të negocimit me Vetëvendosjen, që paraprakisht t’i bëjmë disa objektiva që thjesht përtej asaj nuk mund të bëjmë thjesht çdo pjesë të kompromisit”, ka deklaruar Peci.
Peci ka deklaruar se LVV-ja në fazat e mëhershme i ka ofruar listës “GUXO” mundësinë të ketë kandidatë për komuna të rëndësishme, por sipas tij, nuk është arritur të gjenden profile siç kjo listë i ka dëshiruar.
“E vërteta është se ne kemi pasur një dakordancë për partneritet në zgjedhjet nacionale dhe lokale dhe në asnjë rrethanë nuk kemi dashur të tregohemi insistues për numër më të madh të kandidaturave. Mirëpo, nuk dua me i hy në hak Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja në fazat e mëhershme na ka ofruar mundësinë që ne të kemi emra edhe për disa komuna tejet të rëndësishme, ku ne nuk kemi dashur të gjejmë një profil çfarë kemi dëshiruar, për shkak se gara për të parin e komunës kërkon që personaliteti që i hy garës, aq më tepër me ia imponu Vetëvendosjes kandidatët për kryetarë të komunave nuk është e klehtë, për shkak që thjesht kërkohej që të kemi kuadro, profile të cilët janë të njohur, kanë kredenciale, kanë përvojë menaxheriale, udhëheqje institucionale e të tjera”, ka deklaruar Peci.
Peci ka folur edhe për Komunën e Istogut, në të cilën ka deklaruar se kandidati i listës “GUXO” do t’i fitonte zgjedhjet.
Ai ka deklaruar në “Pressing” se janë bërë edhe matje për personalitetin e kandidatit të listës “GUXO” në Istog.
“E në rastin e Istogut, unë personalisht mendoj që, nuk e di cili do të jetë epilogu në Istog, por jam i bindur që propozimi që e kemi pasur ne si lista “GUXO” për Istogun, jam i bindur 100 për qind që kish me përfundu kryetar i Istogut. Unë personalisht jam interesuar, ne kemi bërë edhe matje në Istog për figurën, personalitetin e tij dhe pranueshmëria ka qenë e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Peci.
Ai tha se brenda LVV-së janë disa persona të cilët për një periudhë të gjatë kohore kanë qenë aktivistë të partisë dhe nuk kanë përfunduar as kandidatë për deputetë e as si pjesë e Qeverisë, ndërkaq sipas tij, zgjedhjet lokale i kanë parë si shancën e tyre jetësore.
“Nuk ka qenë e lehtë as për Vetëvendosjen në disa lokalitete sikurse në Istog, në nivel qendror me i tërheq disa kandidatë, sepse janë disa figura…Unë nuk e përjashtoj mundësinë që Vetëvendosja mundet me e fitu prapë Istogun, ndoshta mundet me na befasu dhe me e fitu Istogun kandidati i LVV-së”
“Thjesht disa akterë brenda VV’së të cilët për një periudhë të gjatë kohore kanë qenë prej aktivistëve të parë, dhe nuk kanë përfunduar as në listat për kandidatë për deputetë, nuk kanë përfunduar as në emërimet për përbërjen e Qeverisë, thjesht e kanë parë angazhimin 10-vjeçar, 15-vjeçar, si shancën e tyre jetësore dhe nuk kanë lëshuar pe karshi mundësisë dhe kompromisin që është dashur me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka deklaruar Peci.
Ndryshe, Lëvzizja Vetëvendosje për kryetar të Istogut ka kandiduar Agron Avdiajt, i cili ka kudnërkandidat Ilir Feratin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bekë Berishën nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Nimanaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Idriz Blakajn nga iniciativa “Bashkë për Istogun”.