Ministrja Shahini: unë, kosovarja që po sulmohem në Shqipëri (lexon opozitën pas maturantëve)

Me një shënim në FB, ministrja kosovare e Arsimit në kabinetin “Rama”, Besa Shahini, pretendon se ajo po sulmohet nga opozita m’u prej prejardhjes së saj.

“Nuk e kam kuptuar kurrë se si disa përfaqësues të opozitës – deputetë të dorëhequr dhe në shërbim, këshilltarë dhe ish-këshilltarë – bashkë me portalet e tyre, ia kanë lejuar vetes të më kritikojnë prejardhjen dhe dialektin, duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve që flasin si unë dhe në veçanti ndaj kosovarëve. Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë, por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-tën, është skandaloze!

Ky sentiment anti-shqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombasve tanë në të gjithë rajonin. Qytetarët e Shqipërisë ndajnë të njëjtin gëzim që kam edhe unë për faktin se shqiptarët janë sot më të bashkuar se kurrë, një prej dëshmive të së cilit është padyshim edhe prezenca e ministrave me prejardhje nga Kosova në qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, shkruan znj.Shahini.

Ajo shpjegon se pse po reagon pikërisht tani.

“E shoh të arsyeshme të reagoj tani, sepse në protestat e fundit të stisura nga opozita kundër provimeve kombëtare, dëgjova edhe disa të rinj duke artikuluar frazën e ulët ‘Kthehu prej nga ke ardhur!’. Është tejet e rrezikshme për të ardhmen e popullit tonë nëse mbjellim sentiment anti-shqiptar tek të rinjtë”, shkruan ministrja, ku pretendon se pra se pas thirrjeve të maturantëve qëndron vetë opozita.

“….nuk guxojmë të lejojmë që opozita të helmojë mendjet e brezave të rinj me anti-shqiptarizëm vetëm e vetëm sepse nuk kanë argumente reale kundër punës sime. Në fund, dëshpërimi i opozitës është problem ekskluzivisht i tyre dhe nuk duhet të lejojmë që të na çojë drejt një rruge të rrezikshme të përçarjes kombëtare”, shkruan e ardhura nga Kosova për të drejtuar arsimin shqiptar.