Këshilli i Mandateve ka miratuar me 6 vota pro dhe asnjë kundër kërkesën e SPAK-ut, për autorizimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Raporti i Këshillit të Mandateve do të përgatitet deri të mërkurën nga Klotilda Bushka dhe më pas do t’i kalojë Kuvendit për miratim në seancën e 21 dhjetorit.
Berisha vendosi mos të shkonte në Këshillin e Mandateve, por të përfaqësohej nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Teksa pritej të merrej një vendim për Berishën, para Kryesisë sot u mblodhën dhjetëra mbështetës të Berishës, bashkë me ish-kryeministrin, të cilët kundërshtojnë kërkesën e SPAK.
Në të njëjtën ditë ishte edhe data e paraqitjes së Berishës para oficerit të policisë gjyqësore, vendim të cilin vendosi ta refuzojë për të katërtën herë.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, më 12 dhjetor SPAK argumenton se ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.
Pas kësaj kërkese, në Gjykatën Kushtetuese u depozitua një kërkesë nga deputeti Oerd Bylykbashi, ku kërkohet zgjidhja e konfliktit të kompetencave ligjore mes SPAK-ut dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.
Po ashtu, në padi thuhet se duhet të shpallen të papajtueshme me Kushtetutën masat e marra nga SPAK për Berishën, në lidhje me aferën “Partizani”, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi. Deputetët kërkojnë po ashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.