Gjatë hyrjes së kryeministrit Rama në presidencë për betimin e qeverisë së re, përveç veshjeve, u vu re edhe makina e kryeministrit.
Kryeministri u pa të futej në godinë me makinën e tipit ‘GMC Custom Luxury Vehicle’ me të cilën shefi i qeverisë po lëviz gjatë dy muajve të fundit.
Ndërkohë, media të ndryshme kanë nisur aludimin se kjo makinë kushton përafërsisht 500 mijë euro dhe ka dy ndenjëse VIP me mbështetëse këmbësh, sediljet italiane dhe rimeso me dru arre origjinale.
Në lidhje me këtë rast ka qenë gazetarja, Esiona Konomi ajo që i ka shtruar disa pyetje kryeministrit në Facebook për makinë.
“Meqë jemi në ditën e qeverisë modeste dhe me etikë të lartë, a mund të përgjigjet kryeministri: A është blerë makina që ai po përdor së fundmi me fonde nga buxheti i shtetit? Kush është zonja E. Hoxhallari dhe a ia ka dhënë ajo makinën në përdorim kreut të qeverisë? Nëse nuk ka lidhje me këtë zonjë, a mund të shpjegojë z. Rama se e kujt është makina e sa kushton ajo? Pse ju desh kryeministrit një makinë e re? Çfarë elementësh sigurie ka ky automjet?”
Pas ministrisë se informacionit, drejtori e posaçme në kryeministri për kontrollin e administratës
Gazetarja Esiona Konomi shkruan më pas se kryeministri nuk lëviz me makinë qeveritare, pasi GMC i është marrë me qira zonjës E. Hoxhallari.
Ajo shton se qeveria e ka sqaruar përmes zyrës së komunikimit se mjeti luksoz GMC me të cilin lëviz Edi Rama së fundmi, nuk është blerë me fonde publike.
“Sipas sqarimit të mëposhtëm që mu dërgua në përgjigje të pyetjeve të mia, ky automjet i pablinduar, është marrë me qera nga Partia Socialiste prej një subjekti privat të regjistruar në emër të zonjës E. Hoxhallari. Përgjigjia e plotë e qeverisë: “Automjeti ne fjale eshte ne pronesi te nje subjekti privat, me aktivitet tregtar te regjistruar sipas ligjeve ne fuqi. Partia Socialiste ka nje kontrate qeraje me subjektin, i cili ushtron prej me shume se 5 vitesh aktivitet ne fushen e shitjes dhe dhenies me qera te automjeteve. Automjeti nuk ka elemente te vecanta sigurie. Ai eshte marre pasi automjeti i meparshem ne perdorim te Kryetarit te PS, nuk plotesonte me standardet e levizjes per shkak te amortizimit si pasoje e vjetersise dhe numrit te madh te kilometrave te kryer. Me kete rast theksojme se kryeministri nuk ka blere nje automjet te ri me fondet e buxhetit te shtetit, qysh nga ardhja e tij ne detyre” – thekson Konomi.
Pavarësisht kthimit të kësaj përgjigjeje, zyra e informacionit në qeveri nuk ka dhënë apo publikuar një dokument zyrtar të kësaj kontrate qiraje.
Por konkretisht nuk dihet se sa është çmimi i kësaj makine apo sa paguan PS për qiranë e saj.
Ishte vetë Rama që gjatë mbledhjes së parë të këtij mandati, u tha ministrave të tij që të heqin dorë nga pushimet jashtë shtetit, udhëtimet në biznes klas dhe luksi me paratë publike, duke kërkuar respektimin e një kodi etike.