Pompat e derivateve shumë shpesh janë cak i hajnave të cilët arrijnë të vjedhin e të grabisin qindra mijëra euro.
Pothuajse të gjitha kompanitë janë përballur me humbje të tilla, që përveç dëmit të shkaktuar, është krijuar edhe pasiguri e frikë për punëtorët. Por ka raste kur vidhen edhe llojet e ndryshme të derivateve, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur të mërkurën në pompën ‘AMV Petrol’, në rrugën Vushtrri- Mitrovicë, ku një klient ka mbushur veturën e tij me derivate dhe më pas është larguar pa paguar.
I dyshuari mbeti borxh rreth 100 euro, për derivate dhe cigaret që “bleu” dhe iku me veturën e tij. Por asgjë nuk mbaroi me kaq.
Punëtori që i ofroi shërbime tentoi ta ndalojë, duke u zvarritur mbrapa veturës së të dyshuarit për disa metra, ku për pasojë mori lëndime trupore.
Sinjali mëson se rasti është denoncuar në Polici menjëherë nga punëtori i kompanisë, i cili ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë se si kishte ndodhur vjedhja.
Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka arritur që të zbulojë se kush është i dyshuari, i cili më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për inicimin e rasteve si “Vjedhje e shërbimeve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.