Bledar Isaku prej 13 vjetësh jeton dhe punon në Kinë.
Ai ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Pekinit. Përmes një interviste pyetje përgjigje përmes postës elektronike me gazetarin e Top Channellit Muhamed Veliu ai flet për situatën e tashme në Kinë pas shfaqjes së Koronavirusit, duke e vënë theksin te komuniteti shqiptar atje.
Bledar fillimisht dua të di si ndjehemi ju personalisht në Kinë pas kësaj epidemie gripi të frikshme!
Përshëndetje zoti Veliu. Ju falenderoj për kohën dhe mundësinë për të dëgjuar jo vetëm zërin tim si qytetar shqiptar në Republikën e Kinës. Personalisht ndihem mirë dhe nuk kam asnjë shqetësim shëndetësor.
Në zonën ku jetoni ka të prekur?
Unë banoj në Pekin prej 13 vjetësh dhe në baze të informatave zyrtare lokale apo ndërkombëtare të besueshme dhe akademike , të qytetit ku unë jetoj ka pasur raste të prekurish, ndonëse origjina e virusit nuk është Pekini, duke qenë se ky event përkoi edhe me Vitin e Ri (Hënor) kinez , lëvizja e popullatës është e vështirë të kontrollohet dhe ka patur përhapje të tillë. Dua të theksoj që nuk ka asnjë shtetas shqiptare ( për ato 300 që une jam në dijeni) që jo vetëm mos ketë patur infektim të tyre, por edhe simptoma të dyshueshme që mund të kenë lidhje me një virozë të tillë, deri tani nuk ka patur.
Ju keni studiuar për mjekësi në Kinë nga aspekti mjekësor si është duke u përballuar situata?
Nga aspekti mjekësor, masat e marra janë në shërbim të çdo qytetari vendas apo të huaj, përderisa ndonëse është virus specifik, gjithsesi i përket sëmundjeve epidemologjike dhe parandalimi i përhapjes është mënyra e duhur, duke limituar zonat e populluara apo duke rritur higjienën personale.
Ka raportime të ndryshme që sugjerojnë se përmasa e shpërndarjes të këtij virusi është më e madhe nga ajo çfarë raportojnë autoritetet atje. Si qëndron e vërteta?
Unë nuk jam në dijeni të vërtetësisë së informacioneve që raportojnë burime të ndryshme. Di të them qe autoritetet lokale dhe ËHO (Ëorld Health Organization) së bashku me burime mjekësore, janë në koherencë, ndonëse ka një diferencë minimale, përderisa këtu është prioritet marrja dhe ekzaminimi i personave që i drejtohen institucioneve mjekësore dhe updatimi ekzakt i shifrave në kohë reale është pak i vështirë, por nuk ka konfirmime që janë të niveleve që promovohet nëpër media 90 000 apo ku di unë. Theksoj që burimet lokale dhe ato ndërkombëtare të besueshme dhe zyrtare janë të përafërta. Më tepër nuk di të them, sepse do shtyja veten në drejtim të spekullimit dhe nuk më duket etike. Informacione të zombie land apo 90 mijë veta janë të pabaza. Është e vërtetë që ka pak lëvizje në rrugë, pasi sensibilizimi ka qenë i shpejtë dhe qytetarët po marrin masat e duhura për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
A ka ndonjë element të ri si është përhapur ky virus?
Shkaqet e përhapjes së këtij virusi janë fakte publike dhe si funksionon transmetimi nga kafshë të ndryshme, burimet mjekësore janë të hapura për publikun dhe çdo njeri duhet të marrë iniciativën personale, përpos sensibilizimit nga autoritetet apo mediat, që të marrin masat e duhura. Virusi dyshohet të jetë transmetuar nga kafshë si gjarpër, lakuriq nate dhe më pas tek njeriu, pas një mutacioni të mundshëm.
Le të ndalemi pak tek komuniteti shqiptar atje. Meqë ju keni 13 vite në Kinë sa është numri shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë?
Nuk jam në dijeni të numrit të saktë në total sa shtetas shqiptarë ka në Kinë, sepse këto informacione duhen kërkuar në autoritetet shqiptare nëse ekziston një numër i konfirmuar. Ky informacion është jashtë kompetencave dhe dijenisë time personale, por di të them që me 300 shqiptarë që un jam në dijeni dhe kontakt nëpërmjet rrjeteve sociale, e theksoj dhe njëherë, asnjë nuk ka patur simptoma të lidhura me këtë virus.
Keni pasur kontakte me shqiptarët atje dhe çfarë thonë, çfarë nevojash kanë?
Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe ndajmë informacione dhe mendime së bashku. Shqetësimi kryesor dhe kërkesa kryesore , dhe këtu shpreh shqetësimin e të gjithëve ose të paktën të shumicës se atyre 300 qytetarëve, i drejtohet mediave dhe portaleve në vendin tonë që mos të përhapin lajme për klikime dhe bëjnë gjueti për scoop mediatik. Familjarët në Shqipëri janë më të shqetësuar se vetë ne këtu, sepse dëgjojnë shumë lajme që për hir të së vërtetës jo vetëm të pasakta, por edhe deri diku jo etike nga ana e mediave. Situata deri në këto momente nuk ka vend për panik, nuk është aspak jashtë kontrollit. Patjetër që shqetësimi ekziston tek të gjithë, pasi nuk dihet me siguri se si do të procedojë më tej, por ky informacion nuk po fshihet apo nuk po bëhet publik, por asnjë nuk e jep dot këtë përgjigje pasi është një situate që akoma po ndodh, por dua të theksoj të mos përhapet panik, sepse dëmton më shumë familjarët në Shqipëri sesa ne që jemi këtu.
Kërkesa dytësore është si do procedohet me një numër të vogël shqiptarësh që janë në zona të prekura apo që janë deklaruar të mbyllura. Kërkesa është për informim se si do procedohet, por me kontaktet dhe me ambasadën e Shqipërisë në Pekin jam informuar që ato janë në kontakte dhe biseda me autoritetet lokale këtu. Kërkesa është që personat që ndihen të rrezikuar si mund të kthehen në Shqipëri, por kjo kërkesë për momentin është e paarsyeshme sepse duhen konfirmuar që nuk janë të prekur nga virusi dhe prioritet patjetër që kanë njerëzit që kanë simptoma dyshuese dhe merakun a kam a nuk kam marrë virus, është çështje që për momentin nuk është primare.
Disa shqiptarë kanë kontaktuar Top Channellin, duke apeluar për ndihme që të kthehen në Shqipëri. Sa imediate mendoni është kërkesa e tyre?
Se sa imediate është kërkesa e tyre , çdo njeri e vlerëson vetë. Un di të them që njeri të infektuar , shtetas shqiptar, nuk ka. Shumica e shqiptarëve nuk banojnë në ato pak qytete që janë shpallur të izoluara apo me kontrolle strikte. Aeroportet janë funksionale. Unë jetoj në Pekin dhe aeroporti i Pekinit ka fluturime, normalisht me kontrolle të shtuara, që është e kuptueshme. Kërkesa për ndihmë që shteti t’i marri në Shqipëri, unë nuk i di procedurat shtetërore apo se sa kompetenca ka ligji apo shteti për të plotësuar këto kërkesa. Por personalisht dhe për shumë të tjerë , mund të fluturojmë drejt destinacioneve të tjera jashtë Kinës në çdo moment që çdo njeri e sheh të arsyeshme.
Në logjikën time, iki apo qëndroj është personale. Nëse ka arsye financiare apo familjare që të përballojë kostot e fluturimit, unë këtë nuk di të jap përgjigje sepse unë nuk jam administratë shtetërore. Unë personalisht nëse e shoh të nevojshme, mund të largohem lirisht nga qyteti ku ndodhem ( të paktën deri në momentin që po shkruaj. Kam marrë masat parandaluese duke limituar daljet , shtimi i higjienës personale, sidomos larja e duarve dhe mbajtja e maskës në publik dhe nuk e vlerësoj të nevojshëm vendimin për t’u larguar.
Ka shume shqetësim në familjet e tyre në Shqipëri cili është mesazhi juaj për to?
Mesazhi është për të gjithë familjet dhe shqiptarët që të sensibilizohen për parandalimin dhe masat efikase vetëm nga mjekë specialistë dhe askund tjetër , në veçanti internet apo platformat sociale. Ju lutem respektoni profesionin e mjekëve dhe ndiqni udhëzimet përkatëse.
Për familjarët e shqiptarëve në Kine desha t’iu them që është i kuptueshëm meraku dhe ankthi i një prindi , sepse prindër kemi të gjithë, por dua t’iu them JEMI MIRE ! Të shëndetshëm dhe po marrim të gjitha masat që duhen për të ndenjur të shëndetshëm. Nuk ka vend për panik, por të kujdesshëm duhet dhe po tregohemi të tillë. Ndaj ju përqafojmë nga larg dhe çdo gjë do shkojë për mirë !