“Momenti i vështirë”, Mamaqi: Bashkëshorti më braktisi kur na internuan në Tepelenë

Sonja Mamaqi, operatorja e parë vajzë në Shqipëri që u dashurua me kamerën që në moshën 16-vjeç, në një rrëfim për “Real People” në Euronews Albania ka treguar vështirësitë pas internimit në vitin 1974.

Ajo tha se bashkëshorti e braktisi dhe e la të vetme së bashku me dy vajzat dhe që prej asaj kohe nuk njohu njeri tjetër.

Mamaqi tregoi se momenti më i vështirë ka qenë kur nga Tirana shkoi në Tepelenë dhe të dy vajzat iu sëmurën me temperaturë. Asokohe ajo tha se nuk e linin të shikonte as vajzat në spital.

“Nuk bëra përpjekje për të njohur njeri tjetër sepse isha shumë e vrarë shpirtërisht. Duhet të gjeja një person në nivelin tim. Njeriu ka nevojë për shokun e jetës qoftë. Duke menduar vajzat që po rriteshin ishte pak e frikshme. Deri në momentin e fundit bashkëshorti im më thoshte që nuk do të lë, do të vijë atje me fëmijët por fakti doli krejt ndryshe. Ai erdhi mori valixhet dhe iku.

Nuk e lashë të puthte fëmijët. Më 27 dhjetor shkova unë në Tepelenë dhe në fillim të shkurtit mu sëmurën të dyja vajzat me temperaturë. I shtrova në spital të dyja. Nuk dija ça të bëja në ato momente. Nuk dija se si do silleshin mjekët. Edhe në mjekësi ishte e vështirë për mua, kishte bëre ditë që nuk më linin të takoja vajzën”-theksoi ajo.