Pjesa më e madhe e Shqipërisë është përfshirë prej mbrëmjes e djeshme nga reshje të dendura shiut, të shoqëruara me erë të fortë që kanë shkaktuar problematika në shumë zona.
Dhjetëra fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në bashkinë e Gjirokastrës, për shkak të motit të keq. Sipas informacioneve zyrtare nga njësitë administrative, banorët e fshatrave Cepo, Odrie, Lazarat, Picar dhe Lunxhëri ndeshen me mungesën e energjisë që prej mesnatës.
Ndërkohe liqeni i Viroit në hyrje të qytetit është pranë pikës kritike dhe mund të vërshojë në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë.
Durrësi, njësoj si herët e tjera kur ka reshje me intensitet ka shfaqur sërish problematikën e rrugëve të përmbytura.
Uji, i cili ka depërtuar mbi trotuare ka vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve.
Problematika të ngjashme janë regjistruar dhe në rrugët e kryeqytetit, ku janë përmbytur për disa orë rrugët, për shkak dhe të bllokimit të kanaleve kulluese.