Mourinho alarmon Turqinë: Po luftojmë ndaj sistemit

Jose Mourinho u shpreh i pakënaqur me standardet e referimit, pasi skuadra e tij, Fenerbahçe fitoi në fund të ndeshjes ndaj Trabzonsporit.

Ish-trajneri i shumë skuadrave të mëdha europiane ia mësyu fushës së blertë, duke festuar me festimin e tij të zakonshëm, me Sofyan Amrabat që shënoi në minutën e 102-të për fitoren e Fenerit me shifrat prej 3-2.

Megjithatë, trajneri portugez nuk ishte i kënaqur me referimin e kësaj ndeshje, pasi dy penallti iu dhanë Trabzonsporit, derisa Fenerit nuk iu dha një tjetër, para golit të fitores nga Amrabat.

61-vjeçari po ashtu kontestoi vendimin e tij për shkuarjen në Turqi.

Pas ndeshjes, duke folur për “beIN Sports”, Jose Mourinho kritikoi ashpër gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Oguzhan Cakir dhe kryesorin e VAR-it, Atilla Karaoglan.

“I fajësoj kryesinë e Fenerbahçes që më sollën këtu”, ka thënë Jose Mourinho që u vendos në krye të skuadrës në qershor të këtij viti. “Më treguan vetëm gjysmën e së vërtetës”, shtoi ai më tutje.

“Ata nuk më treguan të vërtetën e plotë, sepse po të më tregonin, e kanë ditur se nuk do të vija. Ne po luftojmë edhe me sistemin këtu, jo vetëm me kundërshtarët në fushën e lojës”, tha Mourinho, i nevrikosur.

Fenerbahçe doli e dyta në tabelë, pesë pikë larg Galatasarayt që është në vendin e parë.

“Atilla Karaoglan ishte lojtari i ndeshjes. Ne nuk e pamë, por ishte gjyqtari kryesor i ndeshjes. Gjyqtari kryesor i ndeshjes (Cakir) ishte vetëm një djalë i vogël, kryesore ishte VAR-i”, tha tutje Mourinho.

Problemet me referim rrjedhin që nga sezoni i kaluar.

Federata e Futbollit e Turqisë kishte ndaluar aktivitetin e ligës, pasi gjyqtari Halil Umut Meler ishte goditur me grusht pas një ndeshje në elitën e futbollit turk.

Në një incident tjetër, presidenti i Istanbulspor e kishte tërhequr ekipin e tij nga fusha e lojës, në protestë të një vendimi të gjyqtarit.