Nga Vehbi Kajtazi
Në pjesën e tretë të hulumtimit për dhënien e shtetësive kosovare dhe vjedhjen e identiteteve të kosovarëve nga trafikantë turq të drogës, Insajderi sjell detaje të lidhjes së shoferit të Gani Thaçit, Enis Çerka me këtë grup.
Emri i Enis Çerkës, për herë të parë ishte dëgjuar në media më 24 tetor të vitit të kaluar. Atë ditë e kishte ndihmuar shefin e tij, Gani Thaçin gjatë një sulmi që i kishin bërë Blerim Pushkollit – shef i Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Gani Thaçi është vëllai i madh i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Hera e dytë kur ishte raportuar për të, ka qenë dhjetori i vitit të kaluar. Çerka ishte arrestuar për lidhje me një grup trafikantësh të drogës.
Ai, ndodhej në një veturë me të cilën besohet se transportohej drogë nga shtetasi turk Nejdet Cesuroglu, në banesën e të cilit ishin gjetur 113 kilogramë heroinë dhe Iskender Sale.
Cesuroglu, i gjetur i vdekur kishte dy shtetësi dhe identitete të Kosovës. Njërën në emër të Lavdim Nomanit, dhe tjetrën në emrin e Ljuljzim Shalja. Derisa, Iskender Sale kishte identitetin e Mehmet Gjinit dhe të Xhemaj Shalës.
Në pjesën e tretë të hulumtimit për dhënien e shtetësive kosovare dhe vjedhjen e identiteteve të kosovarëve nga trafikantë turq të drogës, Insajderi sjell detaje të lidhjes së shoferit të Gani Thaçit, Enis Çerka me këtë grup.
Në momentin që shtetasi turk, Nejdet Cesuroglu ishte gjetur i vdekur, dhe policia kishte zbuluar se në banesën e tij ndodheshin 113 kilogramë heroinë, Labinot Zenelaj, i shoqëruar me persona tjerë kishte shkuar në garazhin e banesës dhe kishte marrë veturën BMW, me qëllim të largimit të saj nga Kosova.
Vetura ishte marrë në kohën kur Policia e Kosovës po kryente bastisje në banesën e tashmë të ndjerit, Nejdet Cesuroglu. Kësisoj, ata kishin larguar një nga provat e krimit.
Dhjetë ditë më vonë e njëjta veturë ishte ndalur nga Policia kufitare e Kosovës në Han të Elezit. Në të ndodheshin, Labinot Zenelit, Selim Çerka, Enis Çerka dhe Gent Selaci, polic i Kosovës në stacionin policor Qendër në Prishtinë.
Të gjithë ishin arrestuar dhe paraburgosur nën dyshimin për përfshirje në dhënien e ndihmës trafikantëve turq të drogës. Pak muaj më vonë të gjithë janë liruar nga paraburgimi.
Prokuroria e Prishtinës pretendonte se këta katër të dyshuar u kanë ndihmuar trafikantëve që të fshehin mjetin e kryerjes së veprës penale, veturën e tipit BMW.
Në kërkesën për paraburgim të nënshkruar nga prokurorja, Bukurie Gjonbalaj, pretendonte se Labinot Zeneli në bashkëkryerje me Sadik Shalën, Xhemail Shalën, Mehmet Gjinin dhe me persona të tjerë deri më tani të paidentifikuar nga Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia në vazhdimësi kanë trafikuar drogë. Hetimi ndaj tyre ishte vazhdimësi e hetimeve për gjetjen e drogës më 2 dhjetor të vitit të kaluar në banesën e turkut të vdekur.
Ky grup është i lidhur me grupe të fuqishme të drogës në Shqipëri në krye me Admir Hoxhën. Me 19 tetor 2018, në Has të Shqipërisë, Policia kishte zbuluar një laborator të prodhimit dhe përpunimit të heroinës dhe kokainës si dhe kishte konfiskuar 180 kilogramë heroinë.
Hoxha, i shpallur në kërkim ka lidhje të fuqishme me politikanë nga Shqipëria, përfshirë kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Si pjesë e operacionit, Policia e Shqipërisë kishte arrestuar dy ish-deputetë socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.
Hetimet e Prokurorisë së Shqipërisë, kanë zbuluar se biznesmeni i shpallur në kërkim, kishte kontaktuar me dy shtetas turq dhe një kosovar, të shpallur në kërkim, duke lidhur marrëveshje me ta për sjelljen në Shqipëri të lëndës së parë për prodhimin e kokainës dhe heroinës dhe për të prodhuar drogat e forta.
Sipas Prokurorisë së Shqipërisë, Admir Hoxha siguronte shitjen e drogës. Grupi që do ta blinte ishte ai i Shijakut. Lidhja mes tij dhe këtij grupi të Shijakut ishte bërë nëpërmjet Saimir Gjepalit dhe Hekuran Hoxhës.
Destinacioni i drogës edhe për këta grupe ishte tregu i brendshëm dhe vende si Anglia, Gjermania, Norvegjia, Holandë dhe Itali.
Prokurorja në Prishtinë në kërkesën për paraburgim, turqve të dyshuar u referohej me emrat e vjedhur të kosovarëve.
Pretendonte se grupi i arrestuar në Han të Elezit, ndihmonte Sadik Shalën, Xhemail Shalën, Mehmet Gjinin. Mirëpo, emrat e tyre të vërtetë ishin Iskender Sale dhe Nejdet Cesuroglu.
Sipas Prokurorisë në Prishtinë, të dyshuarit Selim Çerka, Enis Çerka e Gent Selaci – polic i Kosovës, i kishin premtuar të dyshuarit Labinot Zenelaj se do ta fshehin veturën e tipit BMW, veturë e cila thuhet se ka qenë e futur në sistemin e Policisë për ndalesë.
Sipas Prokurorisë, tre të dyshuarit Selim Çerka, Enis Çerka e Gent Selaci, me anë të këtyre veprimeve do të kryenin veprën penale, ndihmë e mbetur në tentativë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge.
Në një seri shkrimesh, Insajderi zbuloi se të paktën tre trafikantë të drogës, një vrasës me pagesë, dhe një e dënuar me dhjetë vjet burgim në Turqi, kanë arritur të bëhen shtetas të Kosovës, duke u pajisur me të gjitha dokumentet. Turku i gjetur i vdekur në Prishtinë, Nejdet Cesuroglu, në banesën e të cilit ishin gjetur 113 kilogramë heroinë, ka marrë dy identitete në Kosovë. Njërin me emrin Lavdim Nimani dhe tjetrin, Ljuljzim Shalja.
Iskender Sale, kishte marrë po ashtu dy identitete, Xhemaj Shala dhe Mehmet Gjini.
Vrasësi malazias, Mario Millosheviq, kishte marrë shtetësinë kosovare nën emrin, Miroslav Kostiq. Ndërkaq, turkja, Ozden Gur, kishte marrë shtetësi me emrin Filloreta Rama. Këta persona shtetësinë e kanë marrë duke paguar e korruptuar zyrtar të MPB-së.