Ministri i Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey, përmes një cicërime në Twitter ka njoftuar se gjatë vizitës së tij në Serbi ka nënshkruar një marrëveshje për largimin e vizave mes dy shteteve, pasi shteti i tij ka vendosur ta tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Sot kam nënshkruar një marrëveshje diplomatike për përjashtimin e vizave ndërmjet Togos dhe Serbisë. Tani zyrtarët togolezë mund të hyjnë në Serbi pa vizë. Ne po vazhdojmë negociatat”, ka shkruar ai.
Kryediplomati i Togës gjatë një konference të përbashkët për media në Beograd me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, ka theksuar se vendi i tij ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Më vjen mirë që keni përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës, ajo tërheqje është përfundimtare”, tha Dussey, ka raportuar “Tanjug”.
Ndryshe, Togo kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 11 korrik të vitit 2014.
Çnjohjet e Kosovës nga vendet e treta kishin nisur në vitin 2018 si pasojë e fushatës agresive kundërlobuese të Serbisë, kryesisht përmes ideatorit Ivica Daçiç, për të vazhduar më pas me përpjekjet shantazhuese kundër pavarësisë së Kosovës edhe në vitin 2023.
“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në konferencën vjetore drejtuar popullit serb ku pretendoi se Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Maldivet, kishin tërhequr njohjen për shtetin më të ri në Evropë.
Por, disa shtete tashmë e kanë mohuar se e kanë çnjohur Kosovën.