Mijëra euro ka paguar jashtëligjshëm Ministria e Jashtme për diplomatin të cilin nuk e kishte pajisur me policë të sigurimit shëndetësor dhe në emër të rinovimit të objektit ku banonte me qira.
Konsullata e Kosovës në Frankfurt vitin e kaluar është detyruar të paguajë 32 mijë e 564 euro për shërbime spitalore për familjaren e zëvendëskonsullit Sadik Makolli.
Këto fatura që i ishin drejtuar nga spitale të ndryshme Konsullatës, e cila udhëhiqet nga Fatmire Musliu, datojnë që nga viti 2017, raporton KOHA.
Konsullata po ashtu ka shpenzuar jashtëligjshëm edhe 11 mijë e 794 euro për kthim të objektit në gjendjen e mëhershme dhe për t’i mbuluar dëmet e shkaktuara për objektin që shfrytëzohej me qira nga i njëjti punonjës.
ishte emëruar konsull në periudhën kur ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli.
Udhëzimi Administrativ për Sigurimet Shëndetësore në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës, përcakton se: Ministria i paguan policat e sigurimit shëndetësor për përfaqësuesit diplomatikë/konsullorë të Republikës së Kosovës, të akredituar në misionet diplomatike dhe konsullore dhe familjes së tyre të ngushtë.
Por, Makolli, i kontaktuar nga KOHA, ka thënë se faji është tek ambasada që nuk e ka pajisur me sigurim shëndetësor. Kurse objektin për të cilin Konsullata ka ndarë mjete për rinovim ka thënë se e ka lënë në gjendjen që e ka trashëguar nga një diplomat tjetër kosovar.
“Mbi 10 shkresa i kam të dërguara në ambasadë për të më përfshirë në sigurim shëndetësor dhe tri herë analizat e dërguara në ambasadë m’i kanë hupë. Nëse krahasohet shuma e paguar për trajtim mjekësor dhe shuma e shpërndarë për muaj sikur të ishte sigurimi shëndetësor, atëherë i bie që nuk është dëmtuar buxheti – përkundrazi diku 9 mijë euro me pak ka kushtuar trajtimi sesa sigurimi shëndetësor për 3 vjet”, ka thënë ai.
MPJ-së me ligj nuk i lejohet t’i rinovojë banesat e diplomatëve.
Sipas Udhëzimit Administrativ për Shpenzime Personale dhe Operacionale në Misione Diplomatike, “përgjegjësia për menaxhimin e kontratës së banimit është e anëtarit të personelit të misionit i cili e shfrytëzon atë objekt banimi”.
Në lidhje me këto shkelje, KOHA ka kërkuar sqarime prej Ministrisë së Jashtme dhe ish-shefes së Konsullatës, Fatmire Musliu.
Në e-mailin dërguar Kohës dhe zyrtarëve të MPJ-së, Musliu ka kërkuar nga institucioni të cilin e përfaqëson që ta lejojë t’i japë sqarimet në lidhje me rastin. Ajo ka thënë se për të gjitha pyetjet e parashtruara ka përgjigje dhe fakte, teksa e ka lënë në diskrecion të MPJ-së t’i ofrojë përgjigjet. E Zyra për informim ka premtuar se do të përgjigjet më së largu deri të hënën.
Koha ka raportuar në vazhdimësi për parregullsi në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt. Ish-zëvendëskonsulli Sadiku ka shprehur pakënaqësi ndaj ish-shefes së konsullatës, Fatmire Musliu, arsye për të cilën ka thënë se e ka kryer mandatin në Gjermani para kohës.
Shkeljet ligjore janë evidentuar edhe në raportin Zyrës Kombëtare të Auditorit për Ministrinë e Jashtme, të publikuar në gusht të këtij viti, por që nuk saktësohet se për cilin diplomat bëhet fjalë.