Një murgeshë me aftësi të kufizuara nga Teksasi u dëbua nga manastiri për thyerje të betimit të dashurisë ndaj Zotit. Ajo pranon se ka shkëmbyer mesazhe me përmbajtje seksuale me një prift, por ata nuk kanë patur marrëdhënie intime.
Kryemurgesha Teresa Agnes Gerlach, 43 vjeç, e cila ndodhet në një karrige me rrota dhe ushqehet përmes një tubi u akuzua gjatë seancës dëgjimore për thyerje të betimit.
“Bëra një gabim të tmershëm. Nuk isha mirë nga mendtë. Edhe një murgeshë mund të dështojë”, iu drejtua ajo Michael Olson, peshkopit që po e merrte në pyetje.
Gerlach u dëbua nga manastiri që drejtonte në Arlington, Teksas pasi hetimi zbuloi marrëdhënien e saj me priftin Bernard Marie.
Ajo ka ngritur një padi prej 1 milionë Dollarësh ndaj peshkopit dhe dioqezës duke i akuzuar për cenim privatësie, sekuestrim të mjeteve elektronike dhe njollosje të figurës.
Ajo shprehet se drejtuesit e kishës thanë se ajo theu betimin duke anashkaluar faktin që nuk ka kryer marrëdhënie seksuale me priftin si dhe janë kapur pas një deklarate të saj se në një muaj i ishte vonuar cikli menstrual.
Gerlach tha se nuk është murgeshë e shthurur, madje këmbëngul se kishte rënë në dashuri me priftin dhe kishte kaluar kriza që ndikuan në gjykimin e saj.
Gjatë një regjistrimi që u luajt në seancën dëgjimore, murgesha pranoi se situata ishte nxehur në telefon dhe në videothirrje, por nuk ishte takuar kurrë me priftin.
“Peshkop, dua t’ju them diçka. Nuk di si ta shpjegoj, por kjo nuk ndodhi vërtet. Aspak. Ishte e gjitha në telefon. Sinqerisht. Asokohe, po kaloja kriza dhe isha në një pozitë të vështirë. Mendoj se truri im vërtet u bë lëmsh”, i tha ajo Olson.
Ndërkohë do të vendoset nëse skandali do të qëndrojë në gjykatën civile apo do të zhvendoset në Vatikan, ku po kryhet një hetim i posaçëm.