Monologu i Mustafa Nanos një javë më parë lidhur me një video të imamit, Elvis Naçi, që shpërthente në lot, ka pasur reagime të shumta.
Edhe këtë javë, Mustafa Nano është rimarrë edhe një herë me imamin, e këtë herë ai e ka cilësuar hipokrit Elvis Naçin.
Mustafa Nano thotë se kur ka qenë një debat me Naçin, ai ka mbetur me gojë hapur, nga guximi që kishte imami për të mohuar frazat e Kuranit.
Për Mustafa Nanon, natyra shumë fetare e jona, nuk është një avantazh, por është një problem, pasi ka fërkime dhe mllefosje.
Nano thotë se ka ardhur koha për të hapur një debat të gjerë, ku të flitet për çdo gjë, sepse vetëm përmes debatit mund të kurohet ky problem.
Monologu i plotë:
Nuk e prisja që reagimi im i fundit të kishte atë reagim dhe kishte disa që më thanë: “Nuk ke pse merresh me Elvisin që është imam modern”.
Këta lënë të kuptohet se shyqyr që kemi këtë që vishet alla frënga, që flet për atdheun, që është shqiptar për shqiptarët, që nuk thotë allahu po thotë zoti, e që distancohet nga Islami radikal. Në fakt, këta njerëz nuk e kanë keq. Mirëpo, unë kam një problem: nuk e duroj dot hipokrizinë. Sepse me hipokritët (munafikë quhen në kuran hipokritët) nuk ke se çfarë të bisedosh. Unë dua të debatoj, dhe me ata nuk debaton dot, pasi ata e fshehin veten. Ata të rrëshqasin. Ata të përvidhen. Unë e kam më të lehtë, e me më shumë kënaqësi, të debatoj me Shefqet Krasniqin, apo edhe me Armand Aliun (të cilët, në të vërtetë, nuk i ka lënë mendja vijnë në studio), sesa me Elvis Naçin. Kam qenë me këtë të fundit në një debat televiziv, ku ky më la pa gojë me guximin për të mos u dalë zot frazave kuranike. Unë thoja që në Kuran thuhet se gruaja është një shkallë më poshtë se burri, ai thoshte jo, kjo nuk është e vërtetë, kurani nuk e thotë këtë. Unë thoja se në Kuran thuhet që myslimanët nuk duhet të bëhen miq me të krishterët, e ai po njësoj thoshte jo, nuk është e vërtetë. Dhe kështu mua m’u duk se përballë nuk kisha një mysliman, por një qafir të maskuar. Le ta themi copë: Myslimanët e vërtetë janë të tjerët, janë ata që zotit i thonë allah e jo ata që allahut i thonë zot. Dhe unë dua të flas me myslimanët e vërtetë. Është e sigurtë që me ta nuk do të bie fare dakord, por të paktën do ketë kuptim debati. Dhe unë dua të debatoj. Ne duhet të debatojmë. Duhet të shkëmbejmë e ballafaqojmë ide, qoftë edhe me rrezikun se mund të fyejmë njëri tjetrin. Është më mirë ta fyejmë njëri tjetrin (pa e pasur këtë si qëllim, kuptohet), sesa të mos i themi gjërat që mendojmë.
Ne kemi një problem si komb. Ky problem është natyra shumë fetare e jonë. Duhet ta fusim mirë në kokë që ky është një problem. Nuk është një avantazh. Duhet ta fusim mirë në kokë që ka fërkime, mllefosje, animozitete brenda nesh për këtë shkak. Dhe ky problem nuk zgjidhet duke e injoruar problemin. As duke injoruar problemet që lidhen me problemin. Sëmundja nuk shërohet duke e fshehur. Sëmundja shërohet duke e njohur sëmundjen, duke folur për të, e duke provuar kura të ndryshme.
Në rastin tonë kura më e mirë është debati. Debati i plotë, i ditëpërditshëm, pa tabura, pa doreza, pa rezerva, pa sjellje ndysëkëqija e paternaliste, duke e duruar njëri tjetrin, duke ia pranuar njëri tjetrit edhe fyerjet e lëndimet.
Është kjo që bëhet në botën e qytetëruar, ku ky problem është edhe më i vështirë për t’u zgjidhur.
Debat, debat, debat. Kjo është receta.
Një javë më parë, Mustafa Nano pati një reagim të gjatë për një video, ku imami Elvis Naçi, pasi thotë disa fraza kurani, fillon e qanë.
Video e publikuar në Youtube nga Elvis Naçi, është parë nga 1 milion veta, çka për Mustafa Nanon është tepër shqetësuese.
“Quhet Elvis Naçi, është imam i një prej xhamive të Shqipërisë. Është duke predikuar një hutbe. Është duke folur për profetët e feve monoteiste, për Ademin, për Ibrahimin, për Musain, për Dautin, për Isain, Muhamedin dhe në fund e mbyll duke cituar një ajet kuranik në gjuhën arabe dhe menjëherë pas kësaj ia kris të qarit. Ia kris të qarit literalisht.
Nuk e di se çfarë ndodh në kokën dhe në psiken e atij njeriu në atë moment, por kam ngelu pa fjalë kur e kam parë për herë të parë që ai qan me lot pasi ka recituar diçka në gjuhën arabë të marrë nga Kurani”- shprehej Mustafa Nano në monologun e një jave më parë.