Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit me kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin, ka thënë se partia e tij vlerëson se nuk është koha të shkohet në zgjedhje.
“Ne vlerësojmë se nuk është koha të shkohet në zgjedhje, për shkak të pandemisë. Ne jemi që të bëhet nje qeveri e re, në bazë të Kushtetutës e aktgjykimit të vitit 2014”.
Mustafa ka dhënë po ashtu detaje rreth takimit të tij me Thaçin. Ka thënë se sot nuk është biseduar rreth emrave, raporton KOHA.
“Sot nuk kemi biseduar fare për emrin, por vetëm për vullnetin politik”, ka thënë ai.
Mustafa në të njëjtën kohë ka folur edhe rreth përplasjeve të tij me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtit.
“Nëse ia kthejmë z. Kurtit krejt çka ka thënë ai për mua, do t’ia ulja nivelin vetes dhe partisë që përfaqësoj. Tani kemi një aktgjykim se janë shkelur nenet e të drejtave të njeriut… të gjithë ne kemi dhenë vërejtjet atë ditë. Qeveria duhet të kërkojë falje qytetarëve”, ka thënë Mustafa.
Takimi i Thaçit me Mustafën ka nisur në orën 10:30. Para tij, Thaçi e ka pritur në zyrën e tij Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Kreu i LDK-së, Mustafa në takim ka qenë i shoqëruar nga sekretari i kësaj partie, Arban Abrashi dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi.
Takimi me Musfatën mbahet në kuadër të konsultave të paralajmëruara nga Thaçi rreth hapave të ardhshëm, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti përmes një mocioni mosbesimi në Kuvend, një javë më parë.
Pas Mustafës, Thaçi ka nisur takimin me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin. Ai ka mbërritur pak para orës 11:00.