Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë disa detaje në lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje derisa ishin në bisedime për koalicion mes dy partive.
Mustafa në RTK ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është subjekt i ndarë në dy pjesë: në aktivistë entuziastë të ri dhe fanatikë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i arrijë 51% të votave në zgjedhjet e ardhshme siç po deklarojnë me deklarata populiste, pasi LVV është i ndarë në dy pjesë.
“Janë gjëra të rënda dhe vlerësimina të pabazume, sepse askush e as Rugova s’ka mujt mi marr 50 për qind e 61 vende në Kuvend e lëre më njerëz të një subjekti që janë të ri, në ndarë dy pjesë në entuziastë të ri dhe pjesa tjetër ata fanatikët e PDK-së që kanë kalu ne VV, që bëjnë politika që dëshirojnë ta kenë gjysmën e parlamentit”, ka thënë Mustafa në një intervistë për RTK-në.
Mustafa po ashtu tha se Lëvizja Vetëvendosje kur erdhi në pushtet në Prishtinë, për 1 vit punoi se si ta akuzonin atë dhe përgatitën lëndë e i dërguan në Gjykata, por sot e asaj dite nuk e ftoi askush për diçka pasi ishin thjesht për konsum të publikut.
Krejt në fund Isa Mustafa paralajmëroi pasoja të mëdha për Vjosa Osmanin për shkak të deklaratave të saj kundër LDK’së, partisë që i besuan shumë dhe e kandiduan për kryeministre në zgjedhjet e fundit.