Me vendim të myftiut Naim Tërnava, sot janë hapur xhamitë në Kosovë.
Ndonëse me vendim të Qeverisë është e ndaluar shkuarja në ceremoni dhe veprimtari fetare, Tërnava ka marrë vendim për hapjen e xhamive, duke mos iu përmbajtur as fjalëve që i tha vetë një ditë para Bajramit, shkruan Gazeta Sinjali.
Njoftimin për hapjen e xhamive e ka dhënë edhe një faqe në Facebook e njërës prej xhamive të kryeqytetit.
“Hapen xhamitë. Në bazë të rekomandimit të Myftiut Tërnava, njoftojmë besimtarët, se nga sot do të filloj falja e namazeve ditore në xhami (përfshirë edhe namazin e xhumasë), gjithnjë në përputhje me vendimin e BIK-ut për respektim të masave preventive ndaj COVID-19”, thuhet në njoftimin e tyre.
Një ditë para Kurban Bajramit, xhamitë u mbyllën, ndërsa myftiu Tërnava kishte thënë se pezullimi i riteve fetare do të zgjaste deri më 10 gusht.