Taksisti Mykhailo Orlovskyi kaloi dy ditë në një pyll të Ukrainës pasi u rrëmbye nga rusët, u rrah dhe u godit me armë paralizuese, ndërsa e detyruan të këndonte himnin kombëtar rus në mënyrë të përsëritur.
“Gjëja e parë që mendova ishte se si të mbijetoja. Gjëja e dytë ishte se do të vdisja” tha ai për Sky News.
Pamjet e kapura nga kamera e tij u publikuan më vonë në Rusi dhe u publikuan në internet nga një gazetar rus.
Pas arrestimit, ai përshkruan se si i hoqën rrobat, syzet dhe e çuan në një zonë me pyje të dendur. “Na rrahën në pyll, filluan të na merrnin në pyetje, pastaj na lidhën dhe na hodhën në një gropë ku na mbajtën dy ditë. Unë kisha veshur vetëm një xhaketë dhe pantallona sportive, dhe kaq. Por falë Zotit xhaketa kishte të paktën një kapuç”, shprehet taksisti ukrainas.Mykhailo ishte një taksist por njëherësh shërbente edhe si vullnetar në ushtrinë.
Pas dy ditësh në pyll, ai u dërgua me helikopter në një burg në Kursk të Rusisë.
“Ne u transferuam nga një vend në tjetrin dhe u morëm në pyetje. Ne vazhdimisht na është dashur të nënshkruajmë dokumente, jemi marrë në pyetje, jemi rrahur. Gjithçka zgjati rreth gjashtë orë, na çuan në një dhomë të veçantë, ku na rrahën me doreza boksi në veshka, mëlçi, brinjë, qafë dhe këmbë. Ata përdorën gjithashtu një armë paralizuese”, thekson ai.
Mykhailo përshkruan sesi të burgosurve meshkuj dhe femra u rruhej koka, u merreshin mostrat e gjakut, ADN-në dhe gjurmët e gishtërinjve.
“Më morën telefonin dhe madje edhe unazën e martesës. Më morën të gjitha dokumentet…pasaportën, patentën e shoferit. Gjithçka e kanë akoma ata” , shprehet ai.
Mykhailo ishte brenda për katër javë në total përpara se të këmbehej me të burgosur të tjerë.
Gjatë kohës kur ndodhej i burgosur, ai u detyrua të këndonte himnin kombëtar rus, i cili u luajt në mënyrë të përsëritur.
“Kishte një radio, një altoparlant i varur në derë. Dhe himni luhej rreth 10-15 herë në ditë, ne duhej të rreshtoheshim dhe të këndonim himnin e Federatës Ruse”
Ndërkohë në Ukrainë , familja e Mykhailo ishte e tronditur për atë që kishte ndodhur.
Pas dy javësh, ata më në fund gjetën një fotografi të tij pas arrestimit, e cila ishte publikuar në internet.
Kur Mykhailo mësoi se do të shkëmbehej me të burgosur rusë ai thotë derdhi lot përgjatë gjithë rrugës prej tre orësh deri në kufi. Qëlloi 10 prilli, ditëlindja e nënës së tij.
“E telefonova dhe i thashë se gjithçka është në rregull, se jam gjallë dhe shëndoshë. Më kujtohen lotët e gëzimit. Ajo ishte e lumtur që Zoti do t’i bënte një dhuratë të tillë për ditëlindjen e saj. Një moment shumë i vështirë ishte kur po flisja me vëllain tim dhe ai më tha se kishte raste kur mendonte se unë kisha vdekur tashmë.
Mykhailo që atëherë është kthyer në vendin e ngjarjes ku u rrmëbye. Gjërat e tij personale gjenden ende atje, të hedhur përtokë- këllëfi i syzeve, kufjet e tij AirPod dhe kartat e tij të punës.
Ai gjeti edhe makinën e tij Mercedes – tashmë të djegur plotësisht, por numri serial ishte ende i dukshëm.
Është e qartë se fillimi sërish nga e para financiarisht po rëndon shumë mbi të. Kjo, së bashku me kalvarin e mundimshëm që iu desh të kalojë.