Naftëtarët kërcënojnë Qeverinë me mbylljen e pikave të karburantit nëse nuk ua plotësojnë kërkesat

Naftëtarët i janë përgjigjur Qeverisë së Kosovës për draftvendimin me të cilin parashihte të kufizonte fitimin për litër të derivateve.

Në një letër të siguruar nga Reporteri.net, që kreu i naftëtarëve, Fadil Berjani ua ka dërguar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave kërkohet ulje të akcizës dhe TVSH-së për produktet e naftës.

Shoqata e Naftëtarëve ka paralajmëruar edhe mbyllje të pompave të derivateve në gjithë vendin, nëse kërkesat e tyre s’merren parasysh.

Ata kanë kërkuar që vazhdohet me ekonomi të tregut të lirë. Nëse kjo s’merret parasysh, naftëtarët kanë kërkuar që marzha e fitimit të caktohet në nivelet e çmimeve aktuale prej 3 për qind për shitjen me shumicë dhe 12 për qind për shitjen me pakicë.

 

“Qeveria, nëse me të vërtetë është e interesuar të mbroj konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe të BE’së nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH’së për produktet e naftës”, thuhet në letër.