Ndalohet në Hungari një serb i dyshuar për krime lufte në maj të ’99-ës në Pejë, ku ishin vrarë 33 persona

Prishtinë- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se në Budapest të Hungarisë, sipas urdhërarrestit ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar serbi S.S., nën dyshimin për krime lufte në maj të vitit 1999 në Pejë, ku ishin vrarë 33 persona.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo prokurori, ku thuhet se ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore”, thuhet në njoftim.