Në një analizë për ndarjet buxhetore për vitin 2024, Instituti GAP konsideron se mbi gjysma e ndarjes së mjeteve është bërë për komunën e Gjilanit, Shtimes, Kamenicës dhe Podujevës, që udhëhiqen nga Vetëvendosje.
Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë paraparë për katër komunat “e VV-së”.
Për kokë banori për qytetarët e Shtimes janë ndarë dhjetë herë më shumë mjete për investime të reja kapitale se sa për kryeqytetasit.
Për këtë në Komunën e Prishtinës thanë se janë të zhgënjyer me nivelin qendror.
“Projektet e Prishtinës, nuk janë projekte lokale, ato janë projekte Kombëtare. Për me tepër, ndarjet buxhetore, janë te bazuara në censusin e vitit 2011, sipas të cilit Prishtina i ka nën 200.000 banorë. Kurse ne çdo ditë e themi që kjo tashmë, në vitin 2024, nuk është aspak e saktë. Sipas shumë organizatave kredibile, Prishtina sot ka rreth 400.000 banorë. Andaj, si konkluzion, Prishtinës duhet t’i ndahet dyfish buxhet”, ka thënë Alban Zogaj, nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
E shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ekzekutivi ka bërë diskriminim në baza partiake me ndarjen buxhetore për komunat.
“Diskriminimi i komunave në baza partiake është papërgjegjësi dhe është logjikë e mbrapshtë arbitrare që po e bën kjo Qeveri. Duhet ta ndalojë këtë. Më e keqja është që e thashë edhe ma herët në investime kapitale 83% e buxhetit është vazhdimësi e projekteve, vetëm 17% janë projekte të reja”, ka deklaruar ai të dielën.
Me mjetet e ndara, të pakënaqur janë deklaruar edhe nga Komuna e Drenasit.
Kryetari Ramiz Lladrovci ka thënë se pavarësisht performancës, siç ka thënë ai, të shkëlqyer të Komunës, ndarjet e mjeteve nuk plotësojnë as nevojat bazike.
“Nuk është e drejtë që Qeveria të bëjë dallime, kur dihet se Qeveria është e krejt Kosovës, jo e një partie dhe duhet ndjekur prioritetet e qytetarëve jo të partive politike. Ne si komunë kemi nevojë për të realizuar projekte kapitale që nuk janë përfshirë në buxhetin e tri vjetëve të ardhshëm”, ka thënë Lladrovci.
Çështja e shpërndarjes së pabarabartë të fondeve për investime kapitale nga ministritë në komuna g është përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
Qeveria aprovoi projektbuxhetin 2024 më 31 tetor, ndërsa Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 16 nëntor.