Një ndejë private në Shalë të Bajgorës ka bërë bashkë Nazmi Thaçin, vëllanë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, me dy persona të dyshuar për lidhje me krimin: biznesmenin Blerim Potera dhe Bedri Mustafën, vëllanë e komandant “Remit”.
Të tre janë mbledhur rreth një tryeze qejfi me ushqim e birra, tregon një fotografi e ahengut, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Blerim Potera, i ulur i dyti në krahun e djathtë të Nazmi Thaçit, është një biznesmen i njohur për sistemin e drejtësisë në vend.
Nazmi Thaçi (i shënjuar me ngjyrë të kuqe) në shoqërinë e Blerim Poterës, i dyti në krahun e djathtë të tij
Ai ka qenë i hetuar dhe dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë trafikim armesh, kallëzim të rrejshëm e lëndim trupor.
Vetëm një muaj më parë, Potera u bë subjekt diskutimi në media lidhur me një takim që realizoi me ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun. Takimi u realizua në zyrën e ish-ministrit Veliu.
Ndërkaq, para një viti, Potera, bashkë me ‘gangsterin’ Astrit Mehmeti, të njohur si Llepota, e kishin sulmuar fizikisht pronarin e kafiterisë “Che Bar” në Prishtinë, Labinot Ademin.
Në këtë ndejë, vëllai i presidentit Thaçi po shoqërohej edhe nga Bedri Mustafa, një tjetër person i dyshuar për lidhje me botën e krimit.
Bedri Mustafa është vëllai i ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafës. Ai dyshohet të ketë qenë pjesë e një grupi të organizuar kriminal.
Një hulumtim i Gazetës Online Insajderi më 2016, tregon se si Bedri Mustafa dhe Azem Syla kishin zhvatur një biznesmen nga Prishtina.
Hulumtimi, i cili hodhi dritë mbi fajdetë dhe haraçin e njerëzve të fuqishëm të Kosovës, dëshmon se si një pjesë e pasurisë milionëshe të një biznesmeni kosovar kishte përfunduar në xhepat e Bedri Mustafës.
Në ndejën e Thaçit, Poterës e Mustafës mori pjesë edhe një zyrtar shteti që supozohet të sigurojë respektimin e vendimeve të gjykatave për të burgosurit.
Bëhet fjalë për Burim Buleshkajn, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, i cili tash rrezikon të humbasë vendin e tij të punës.
Pjesëmarrja e Buleshkajt në ndejën me Nazmi Thaçin, Blerim Poterën e Bedri Mustafën, nuk ka kaluar pa i rënë në dy ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
Ajo ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ndaj zyrtarit të lartë të ShKK-së, Burim Buleshkajt, për shkeljen e masave për kufizimin e lëvizjes.
“Masat që do të ndërmerren kanë të bëjnë me veprimet e papërgjegjshme dhe që rrezikojnë jetët dhe shëndetin e të burgosurve dhe stafit korrektues”, ka thënë ministrja Albulena Haxhiu në një përgjigje me shkrim për Insajderin.
Pjesëmarrjen e Buleshkajt në ndejën e Shalës së Bajgorës e ka konfirmuar të hënën edhe Nehat Thaçi, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Në një bisedë telefonike me Insajderin, Thaçi ka thënë se sipas informatave të tij, “rasti është në shqyrtim”.
Nazmi Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, është i njohur në publik për një incident të vitit 2016.
Asokohe, siç kishte raportuar Gazeta Insajderi, Nazmi Thaçi kishte kërcënuar një zyrtar të Policisë së Kosovës.
Thaçi, më 11 nëntor të 2016-s ishte ndalur pak pas mesnate nga një patrullë në Prishtinë. Ai kishte armë me vete të cilën kishte deklaruar se e kishte me leje. Por, lejen nuk e kishte me vete.
Kur polici Sami Hoti kishte kërkuar që të dilte nga vetura, kishin pasuar kërcënimet ndaj tij se “do të merren masa për shkak se kishte ndalur pa arsye vëllanë e presidentit”.
Hoti në një raporti kishte shpjeguar arrogancën e vëllait të presidentit. Raporti, të cilin e kishte siguruar Insajderi, ishte bërë publik po atë vit.